Deri në 25 Prill 2021, Ilir Meta u shfaq hapur në mbështetje të opozitës (PD-LSI) dhe kundër shumicës socialiste.
Nuk do të harrohet thirrja katër ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, kur iu drejtua popullit me fjalët “U bëni thirrje gjithë grave e burrave t’i mprehin sfurqet, kosoret, sëpatat, t’i kenë gati e po u prek një votë e vetme, ashtu do bëjë gjithë Shqipëria, me në krye Presidentin”.
Por as mbështetja e kreut të shtetit nuk e ndihmoi opozitën për të fituar, edhe pse më pas Lulzim Basha do të akuzonte se sjellja e Presidentit e dëmtoi koalicionin kundër qeverisë.
Pas zgjedhjeve “zjarri” që Presidenti ndezi u shua dhe fjalën për dorëheqje nëse do të fitonte Edi Rama mandatin e tretë nuk e mbajti.
Muajt kaluan me qetësinë e verës për t’i lënë vendin vjeshtës që ishte e vrullshme në kampin opozitar pas ndarjes së thellë mes Bashës dhe “dobësisë” së vjetër të ish-kreut të LSI-së, Sali Berishës.
Por “qetësinë” Ilir Metës ia prishi Lulzim Basha kur tha se është një nga tre këndet e Trekëndëshit të Bermudës duke e “rikthyer” kreun e shtetit edhe njëherë në “skenë”.
Lëvizja e Lulzim Bashës për t’i sulmuar të gjithë për të krijuar idenë se ai është e ardhmja i shkaktoi disa kosto kryedemokratit që është kthyer në armikun e betuar të “dobësisë” së njeriut që mbajti në këmbë mandatin e dytë të Sali Berishës në 2009-13. Ilir Meta ishte gati, hapi “thesin” kundër Lulzim Bashës me prapaskenat e anulimit të dekretit të zgjedhjeve lokale 2019 dhe tashmë shpalli datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale.
Momenti më i keq për sprovën e Lulzim Bashës. Në çarjen e thellë me demokratët dhe Sali Berishën kjo është sfida e parë ku Basha duhet të tregojë se kush ka besimin e demokratëve.
Shumë e panë lëvizjen e Ilir Metës për të shpallur datën e zgjedhjeve në këto momente dhe faktin që nuk ftoi opozitën në konsultim duke e injoruar, si “dorë” për doktorin që ka nisur përzgjedhjen e kandidatëve.
Meta normalisht e ka mohuar se lëvizja e tij ishte e planifikuar kundër Bashës, por fakti që vetëm pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deklaroi se “nuk kam ndonjë detyrim për të shpallur zgjedhje” dhe pas pak ditësh ndryshoi qëndrim duket qartë se është një kunj për liderin e PD-së zyrtare.
Pas shpalljes së zgjedhjeve, Presidenti ia ka marrë këngës nga Shkodra ku ishte dje në krah të Bujar Qamilit dhe sot në Korçë me recitime nën petkun e dëborës.
I buzëqeshur dhe gëzuar, Presidenti duket i lumtur, ndryshe nga periudha para zgjedhjeve të një viti më parë, por cila është arsyeja?
A ka ndryshuar Shqipëria, që vjet ai donte t’u tregonte qytetarëve përpara se të shkonin të votonin për të zgjedhur alternativën më të mirë? Për momentin e vetmja gjë që dihet është “dobësia” e tij për doktorin…
/5pyetjet