Policia ka arritur të zbardhë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Havaleas” të fshatit Kozare, në qytetin e Kuçovës. Një grua u gjet e vdekukur, e hedhur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe. Ndërkohë, policia konfirmon që është ajo vrarë nga një komshi i saj, banor i fshatit Kozare.
Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk po e gjenin kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1 orë kërkimesh, gruaja 64 vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Në momentin e gjetjes së trupit të pajetë, gruaja ishte e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe e mbetje domatesh brenda në kanal.
Viktima, e identifikuar Fatime Suli u transportua gjatë natës drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 64-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.
Konfirmimi i vrasjes së gruas vuri në lëvizje policinë e Beratit për të identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth, u bë i mundur arrestimi i autorit të vrasjes, 58-vjeçarit Fetah Marra që rezulton të jetë komshiu i viktimës. I arrestuari është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë që burime të brendshme policore konfirmojnë paraprakisht se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh, që komshiu i kishte familjes së gruas.
Njoftimi i policisë:
Mbyti 64-vjeçaren dhe e hodhi në kanal, Policia zbardh ngjarjen dhe identifikon autorin e dyshuar.
Vihet në pranga 58-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas marrjes së njoftimit për një shtetase të pajetë në kanal, në fshatin Havaleas, Kuçovë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor.
Falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve të grumbulluara u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fetah Marra, 58 vjeç, banues në fshatin Havaleas, Kuçovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, e ka mbytur dhe e ka lënë në një kanal shtetasen Fatime Suli, 64 vjeçe, banuese në fshatin Havaleas, Kuçovë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.