“Foltlumturia e Ultësirës Perëndimore të marrë dhe detyrën e anëtarit të këshillit bashkiak”. Dje mbledhja e komisionit të ligjeve u përfshi, jo vetëm nga debati që nuk mungon asnjëherë mes palëve, por edhe ironia e fortë e socialistit Toni Gogu dhe të tjerëve për deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili është fuqizuar nga Lulzim Basha që i ka besuar poste me tepri në mandatin e tretë në opozitë.
I zgjedhuri demokrat në 25 Prill në qarkun e Fierit, nuk është vetëm drejtues politik i këtij qarku, por edhe dy të tjerave, i Vlorës pas largimit të njerëzve të Sali Berishës, por së fundmi edhe i Shkodrës ku do të drejtojë fushatën për zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki, bastion të djathtë, por që këtë herë rrezikohet nga përçarja mes demokratëve pas ndarjes së thellë me ish-kryeministrin. Por nuk mjafton me kaq. Mungesë alternativash apo besimi. Pikëpyetja është e madhe, pasi përpos rajoneve, Alibeaj ka “kapur” edhe kupolën e partisë Demokratike.
Ai është emëruar kryetar grupi pas largimit të Afred Rrushajt, gjithashtu është n/kryetar partie, anëtar kryesie, kryetar i komisionit hetimor për 25 Prillin, pa harruar anëtar i këshillit kombëtar, teksa vetëm pak ditë më parë ishte edhe n/kryetar Kuvendi. Ai është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, që në javët e fundit është kthyer në betejë mes Dukës dhe Veliajt dhe PD është pozicionuar në krah të Presidentit që kërkon mandatin e gjashtë.
Postet e Enkelejd Alibeaj në PD?
Kryetar grupi
N/kryetar i PD-së
Drejtues politik i qarkut Fier
Drejtues politik i qarkut Vlorë
Drejtues politik i qarkut Shkodër
Kryetar i komisionit për zgjedhjet e 25 Prillit
Anëtar i kryesisë së PD-së
Anëtar i këshillit kombëtar të PD-së
Por si arriti Enkelejd Alibeaj deri këtu?
Enkelejd Alibeaj është figura më e vjetër në PD-në aktuale. Demokrati i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe që ka punuar si pedagog në disa Universitete të ndryshme, avokat dhe gjyqtar në PD hyri fillimisht në mandatin e parë të qeverisë Berisha si drejtori i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionin pranë Këshillit të Ministrave. Më pas Sali Berisha i hapi derën e ministrisë së Drejtësisë nga viti 2007 deri në vitin 2009. Nga viti 2009 deri në vitin 2013 Enkelejd Alibeaj u zgjodh deputet për herë të parë në qarkun e Fierit. Në 2013-ën nuk u fut në listë, por u rikthye në parlament në 2017. Garoi në betejën lokale përballë Armando Subashi për të marrë bashkinë e Fierit, por nuk arriti që të thyente hegjemoninë e socialistëve. Në 2021 Lulzim Basha i besoi drejtimin e këtij qarku, ku PD humbi, por rikuperoi nga zgjedhjet e kaluara, duke marrë 6 mandate deputetësh.
Kthesa e Lulzim Bashës dhe surpriza e madhe
Fushata e zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit nga Lulzim Basha ishte ndërtuar mbi idenë e një “fryme të re” dhe jo “xhaketat e vjetra” në PD. 21 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, Lulzim Basha do të bënte një deklaratë të fortë që “shkundi” një pjesë të njerëzve të tij në parti. Ai tha se nëse do të vijë në pushtet nuk do të ketë asnjë ministër që ka qenë në kabinetet e mëparshme. Jo vetëm aleatëve, por kjo i dogji edhe Alibeajt, pasi më parë kishte qenë ministër i Berishës. Por “frymën e re” Lulzim Basha duket se e kishte vetëm për kabinetin dhe jo për partinë. Me humbjen e zgjedhjeve bëri një hap pas. I besoi një njeriu të vetëm 6 poste në parti, praktikisht gjysmën e Shqipërisë dhe të kupolës drejtuese.
Por përse e shpërbleu duke e kthyer në krahun e tij të djathtë?
Nëse dëgjon dhe lexon krahun e Sali Berishës, retorika është e thjeshtë, “Bashës i ikën të gjithë dhe tan nuk ka më njerëz, prandaj i ka besuar Alibeajt kaq shumë poste”. Një pjesë tjetër për të dhënë një përgjigje kthehet në 13 nëntor të 2019, kur Presidenti dekretoi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, partneren e Enkelejd Alibeajt, Marsida Xhaferllarin.
Xhaferllari e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ku ka shërbyer nga viti 1999 deri në vitin 2007. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë (kohë kur ministër ishte Alibeaj) dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë.
Në vitin 2013, Xhaferllari u emërua Kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një post që ajo e ka mbajtur deri zëvendësimin e KLD-së me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Pyetja që shtrohet është, kur Lulzim Basha në këto momente krize, për të kënaqur sa shumë demokratë dhe për të mos grumbulluar sa më shumë pushtet vetëm te një njeri, përse zgjodhi që ta “blindote” Alibeajn, nuk kishte alternativa, nuk kishte besim te të tjerët, apo po kërkon fuqi në Gjykatën Kushtetuese?
/5pyetjet.al