654 denoncime janë bërë përgjatë një jave nga qytetarët në policinë e Tiranës për shkelje që kanë konstatuar me qarkullimin e makinave, shpejtësi, manovra, apo parkime të gabuara. Policia ka publikuar disa prej momenteve kur ka ndërhyrë për të ndëshkuar shkelësit e ligjit.
“Policia Rrugore e Tiranës në bashkëpunim dhe me struktura të tjera të DVP Tiranë, fokus të punës dhe reagim në kohë edhe ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, që konstatohen dhe adresohen me pamje nga qytetarët në rrugët e kryeqytetit.
Prej kohësh, falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Rrugore e Tiranës, po ndjek me kujdes të gjjtha raportimet e Komisariatit Dixhital, denoncimet e qytetarëve, postimet e rrjeteve sociale, nëpërmjet të cilave provohen shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat më pas ndiqen në terren dhe procedohen sipas dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor.
Gjjthashtu, janë vlerësuar në kohë informacionet e qytetarëve në lidhje me shkelje të rrezikshme, ku vetëm dy ditët e fundit, falë reagimit të shpejtë dhe profesional, janë parandaluar ngjarje rrugore që mund të shkaktonin pasoja të rënda, pasi disa drejtues mjetesh, janë denoncuar nga qytetarët se po kryenin manovra të rrezikshme.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë reaguar dhe ndaluar menjëherë, dhe nga verifikimet rezultuan se dy prej tyre ishin në gjendje të dehur, përkatësisht shtetasit me iniciale O. S., dhe E. Gj, të cilët u arrestuan në kushtet e flagrancës për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal” mbyllet njoftimi.
/5pyetjet.al