Dy vite nga nisja e luftës me koronavirusin disa të vërteta duhen thënë. Jo çdo e keqe vjen për keq për të gjithë. Ky është rasti i oligarkëve.
Dy vite më parë Shqipëria u pushtua nga ankthi, frika dhe paniku, si shumë vende të botës për shkak të koronavirusit që erdhi nga Kina. Fjala më e përdorur ishte “tampon”.
Leku, por edhe miku në shumë raste nuk mjaftonin për të gjetur një mundësi për të bërë testin për të mësuar nëse ishe infektuar.
Gjithçka ishte me pikatore dhe zgjidhja e vetme që dha shteti ishte “karantina totale”. E paharrueshme do të jetë skena kur ky shtet nxori ushtrinë me blinda në rrugë. Por për cfarë? Për të trembur koronavirusin? Nuk e morëm vesh.
Një pjesë të ditës njerëzit dyndeshin për t’u furnizuar dhe pjesën tjetër nuk “pipëtinte as miza”. Në kulmin e krizës një tjetër çudi ishte edhe doza e fortë e panikut të Arben Ahmetajt, asokohe koordinator për situatën ekonomike COVID -19 dhe sot zv/ kryeministër që tha se “importuesit garantojnë rezerva ushqimore për një periudhë prej të paktën 2 apo 3 muajsh” duke shkaktuar dyndje për furnizime.
Megjithatë, të kthehemi të shëndeti, pasi aty ishin sytë në ato momente kur përtej Adriatikut, pamjet e kamionëve me arkivolë ishin tronditje e madhe. Por sistemi shëndetësor mes dy vendeve ishte dhe është vite dritë larg. Nuk bëhet fjala për kujdesin në spitale, por thjeshtë për një test për të mësuar nëse je infektuar apo jo.
Në korrik të vitit 2020 për të lehtësuar fluksin, ministria e Shëndetësisë vendosi që të licenconte laboratorin e QSUT-së duke deklaruar se mund të kryheshin testet në ‘Real Time PCR’ për identifikimin e SARS-CoV-2. “Tani do të krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre” tha asokohe ministrja Ogerta Manastirliu.
Lajmi ishte i mirë, por zgjati shumë pak. 10 ditë më pas gjithçka tërhiqet. Kështu njerëzit u hodhën në rrugë në kulmin e pandemisë.
Por cila ishte arsyeja që u mbyll ende pa u hapur laboratori?
Urdhri erdhi nga koncesionari, që ka fituar të drejtën për 10 vite për të kaluar në dorë cdo analizë që do të kryejnë shqiptarët dhe fitimi i tij është jo pak, por 95 milionë euro. Përballë kësaj shume, nuk ishte asgjë pandemia apo nxjerrja në rrugë e personelit që u kualifikua për të bërë analizat.
Kush e ka fituar këtë koncesion?
Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.
Kontrata u firmos në 24 prill 2019 nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama. KLSH gjeti shkelje të shumta në këtë koncesion.
Janis Karathano është pronari i Labopharma sh.p.k. Përveç atij te laboratorëve (me Labopharmën), Janis mori nga Beqaj edhe koncesionin e transfuzionit të gjakut duke u bërë furnizuesi ekskluziv i Vilma Nushit me pajisje laboratorike për Check-Upin.
Përse u veprua me dy standarde?
Ministri Arben Ahmetaj në 23 mars 2020 deklaroi se për shkak të gjendjes emergjente me koronavirusin, qeveria pezulloi disa koncesione, por përse jo atë të laboratorëve? A është përcaktuar në kontratë një klauzolë e tillë në rast gjendje emergjente? Nëse po, për nuk u zbatua?
/5pyetjet.al