Këshilltari i Presidentit Ilir Meta akuzoi edhe njëherë Kuvendin për falsifikim dhe manipulim të dokumenteve që janë paraqitur si prova në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha, se Presidenti po bën gati një kallëzim në prokurori kundër Kuvendit.
“Jemi shumë të tronditur institucionalisht, që si ka mundësi që Kuvendi për t’u mbrojtur para gjykatës arrin të deformojë aktet e prodhuara nga vetë ai. Unë kërkova në seancë laptopin për të treguar atë dokument që shkarkova nga faqja e kuvendit me atë që iu dorëzua gjykatës.
Iu kërkua gjykatës ta marrë seriozisht këtë provë. Presidenti ka autorizuar për një kallëzim në prokurori. Ngelet në përgjegjësinë e Kuvendit për të kryer verifikimet e veta, apo vetë Kushtetueses për këtë provë. Ne nuk mund të themi që autori është ky apo ai, por kuvendi që depozitoi provën” tha Dervishaj.
Por cila është shkelja?
Bledar Dervishaj akuzoi se manipulimi i Kuvendit lidhet me urdhrin e lëshuar një vit më parë nga ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ku vendoset data 5 maj në vend të datës 6 për përcaktimin e rendit të ditës për të legjitimuar seancën 7 majit.
“Shkelja e parë kishe të bënte me përcaktimin e rendit të ditës. Rendi i ditës ishte caktuar nga ish-kryetari i Kuvendit më datë 6 maj. Pra Kuvendi po thërritej në seancë plenare për një afat më pak se 24 orë. Kjo ishte shkelja e parë.
Sipas Dervishajt kjo është bërë me qëllim që të përmbushej kushti për caktimin se seancës jo më herët se 48 orë.
Shkelja e dytë ishte që në rendin e ditës nuk kishte 2 çështje, ndërkohë që seanca plenare mori dy vendime. Pra duhet të kishte 2 çështje e jo 1.
Shkelja e tretë ka të bëjë që referuar Kuvendit nuk kishte vendim për të vendosur shtesa në rendin e ditës. Me urdhrin që Kuvendi ka depozituar në maj të vitit 2021. Por siç shikohet s’kemi më datën 5/05/2021, por data është 06/05/2021.
Pse bëhet kjo? A mos lidhet kjo me rrëzimin e një nga shkeljeve që kishte cituar presidenti që urdhri për caktimin e seancës plenare bëhet jo më shumë se 48 orë. Të gjitha dyshimet për të dorëzuar këtë provë shtesë aty të çojnë” tha ai.
Sot gjykata Kushtetuese pasi dëgjoi palët për tre seanca maratonë u tërhoq për të marrë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidenti apo jo.
Tre janë skenarët për vendimin; të mos ketë vendim, pasi mund të mos arrihet shumica 5-2, të shkarkohet Meta, ose të rrëzohet kërkesa e Kuvendit.
Shtatë anëtarët që kanë në dorë dosjen janë; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.
/5pyetjet.al