Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka dhënë sqarime lidhur me lëshimin e vizave të punës për qytetarët e Kosovës.
Ambasada ka theksuar se që nga 1 janari 2021 është në fuqi pjesa vijuese e “Rregullores për Ballkanin Perëndimor”, që i bie se deri më 31.12.2023 shtetasit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë një qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi i njohur në Gjermani.
“Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjencisë Federale të Punës. Brenda një viti kalendarik mund të lëshohen maksimalisht 25.000 miratime për aplikacione të tilla, 5.500 në vit nga të cilat për aplikues nga Kosova. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara para pandemisë”, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë për Klan Kosova.
Më tej thuhet se për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit.
“Për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021 ambasada i ka pranuar 56.639 aplikime dhe në janar të këtij viti gjithsej 48.962 aplikime. Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm”.
“Në vitet e kaluara ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është një nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht nuk mund të mënjanohet”, thuhet në përgjigjet e ambasadës.