Pasditen e sotme Kuvendi i Shqipërisë u është përgjigjur akuzave të Presidentit Ilir Meta për falsifikim, që depozitoi një padi në SPAK dhe në prokurorinë e Tiranës.
Në padi kreu i shtetit akuzon administratën se vitin e kaluar falsifikoi datën e dokumentit të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit për nismën për shkarkimin e Presidentit.
Por Kuvendi i drejtuar nga Lindita Nikolla rrëzon pretendimet e Presidentit dhe shprehet se nuk do të bëjë asnjë koment deri sa të flasë gjykata për procesin e shkarkimit.
“Në respekt të pavarësisë së institucioneve kushtetuese, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të marrë vendim, Kuvendi respekton heshtjen dhe nuk bën komente për rastin në fjalë.
Përsa i takon pretendimeve të Presidentit të Republikës për manipulim ose për falsifikim, me përgjegjësi të plotë sqarojmë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
Kuvendi i Shqipërisë, në datën 4 shkurt 2022, ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese dokumentacionin zyrtar ligjor që lidhet me çështjen në shqyrtim” mbyllet deklarata.
/5pyetjet.al