Në mbledhjen e sotme qeveria i ka kaluar 190 mln lekë KQZ-së për përgatitjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit në 6 bashki të vendit; Shkodër, Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, Vorë dhe Dibër.
VENDIMI I PLOTE
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË ORGANIZIMIT TË ZGJEDHJEVE TË PJESSHME PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 6 MARS 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/5pyetjet.al