Dy persona, një shqiptar dhe një italian ishin shndërruar në makthin e njerëzve në disa zona të Italisë duke bastisur dyqane e duke vjedhur apartamente. Ata kishin marrë me radhë zonat e Bassaneses dhe Trevigianos duke vjedhur banesat dhe bizneset private.
26-vjeçari shqiptar Enea Gjyra dhe 45-vjeçari italian, Denis Pivetta lëviznin me një BMË të zezë dhe pikasnin momentet kur familjarët e banesave të ndryshme nuk ndodheshin në to, për të vjedhur gjithçka që gjenin.
Bastisjet e shtëpive i kishin nisur që prej gushtit të vitit të kaluar dhe mësohet se kanë vjedhur një shumë prej rreth 80.000 euro si dhe kanë dëmtuar banesat në strukturat e tyre, si instalimet dhe sistemet e brendshme dhe të jashtme. Policia pasi ka këqyrur pamjet nga kamerat e sigurisë si dhe ka bërë të mundur identifikimin e targës dhe falë dëshmive të shumta të njerëzve, mundi të vendosë në pranga dy autorët e vjedhjeve në këto zona.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së shqiptarit Gjyra u gjetën edhe gati 2 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë duke marrë mbi shpinë edhe një akuzë tjetër atë trafikut të drogës, shkruajnë mediat italiane.
Shqiptari dhe italiani kishin edhe bashkëpunëtoret e tyre, pasi policia vuri në pranga edhe 29 vjeçarin shqiptar Aledon Qarku, si dhe 34-vjeçaren ukrainase Tetiana Mishchenko, të cilët u kapën po ashtu me lëndë narkotike të llojit marijuanë. Edhe këta të dy u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim për trafik droge. Ndërkaq, një tjetër shqiptar, 39-vjeçari shqiptar, B.O, është lënë i lirë edhe pse u kap teksa shpërndante kokainë.