Ish-kryeministri Sali Berisha pasditen e sotme ishte në Durrës për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie për zgjedhjet e 6 marsit, Ardian Muka.
E ndërsa e cilësoi si zgjedhjen më të mirë, lideri historik i PD-së sulmoi ish-kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që ashtu si Berisha është shpallur non grata.
Ish-kryeministri u ndal edhe te projekti i transformimit të portit të Durrësit, që sipas tij pas kësaj skeme qëndron Edi Rama dhe Lulzim Basha.
“Në tetë vite në Durrës beton Gjush, Gjush beton, beton Gjush, Gjush beton. Por tani së fundmi, Edi Rama dhe Lulzim Brava i vërsulen portit të Durrësit. Në 3 mijë vite, Durrësi ka njohur pushtues të egër, tërmete të rënda, por edhe cuname.
Durrësi në të gjitha kohërat është ringjallur nga porti, pasi ka qenë burimi i forcës jetësore të këtij qyteti. Dhe vjen një ditë dhe portin e merr Emaari (Mohamed Alabbar) pasi do ta bëjë si Dubai.
Por të flasim realisht, porti në 3 mijë vite ka qenë i ngjitur me qytetin. Por të bësh diçka të tillë pa i pyetur qytetarët e Durrësit, asnjë pushtues nuk do ta bënte këtë. Këtë e bën Edi Rama me Lulzim Bravën, pasi duan të pasurohen.
Tani na del që Emari, pasi krijoi kompaninë me menaxher në Shqipëri, menaxherin e kompanisë së Lul Bravës, tani thotë nuk jam më. Ja shita. Po kujt ia shite? Kompanisë Rama-Basha.
Por cila është kjo kompani që i bleu 100% Emarit aksionet? Emri i saj është fshehur në skemat offshore. Absolutisht është Rama-Brava. Rama-Basha kanë filluar të shesin sipërfaqe ndërtimi, mos blini asgjë. Porti është i qytetarëve të Durrësit” tha ai.
/5pyetjet.al