-sidi education-spot_img
0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

A do takohen Kurti e Vuçiç para zgjedhjeve të prillit në Serbi? Presioni po shtohet

Kryesoret

Brenda dhjetë ditësh, në Kosovë për vizitë qëndruan të dërguarit e Bashkimit Evropian, SHBA-së e Britanisë së Madhe. Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë në qendër të diskutimeve të tyre me krerët institucionalë e partiakë. Një gjë e tillë, është duke u konsideruar si presion mbi vazhdimin e bisedimeve, e aranzhimin e një takimi të nivelit të lartë, para zgjedhjeve në Serbi në muajin prill.

Tre emisarë qëndruan në Kosovë në dy javët e kaluara. Interesimi i të gjithëve: vazhdimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, e arritja e një marrëveshjeje përfundimtare. Por, një angazhim i shtuar kohëve të fundit i Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e tash edhe angazhimi i ri i Britanisë së Madhe, konsiderohet se është duke u bërë me qëllim të një aranzhimi sa më parë të takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Augustin Palokaj, korrespondent i KOHËS në Bruksel, rendit arsyet e presionit të emisarëve për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë, mes dy liderëve shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë. Në mesin e tyre, Palokaj përmend zgjedhjet në Serbi dhe përfundimin e afatit për gjetjen e një zgjidhjeje për targat.

Sipas tij, në takimin i cili pritet të zhvillohet para muajit prill, Kosova do të përballet me kërkesën që ta ndryshojë qëndrimin e saj për zgjedhjet e Serbisë, e kështu të lejojë mbajtjen e tyre edhe në territorin e Kosovës.

“E para është arsyeja se në Serbi zhvillohen zgjedhjet në prill dhe Serbia dëshiron që të ketë mundësi t’i organizojë votimet edhe në territorin e Kosovës. BE-ja ka ofruar që kjo të diskutohet në kuadër të dialogut, prandaj edhe do të ketë trysni ndaj Kosovës që të bihet dakord për një gjë të tillë në mënyrë që kjo të mund të paraqitet si sukses. Arsyeja tjetër është se së shpejti do të mbushen dy vjet prej kur Miroslav Lajçak ka nisur mandatin tij, prandaj edhe duhet së paku të dëshmojë se takimet po vazhdojnë sepse nuk ka shumë rezultate për të paraqitur sukses”, ka thënë Palokaj, derisa ka shtuar se edhe skadimi i afatit për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për targat, është arsyeja tjetër që ka bërë të rritet presioni ndaj palëve për takime në kuadër të dialogut.

Sa i përket kësaj marrëveshjeje, diskutimet për të cilën janë duke u zhvilluar që nga muaji tetor i vitit të kaluar, sipas Augustin Palokajt, ka përafrim mes dy shteteve.

“Disa elemente, thuhet në qarqet diplomatike në Bruksel, janë përafruar dhe mund të ketë marrëveshje siç është ajo për targat apo edhe ndonjë marrëveshje tjetër, që do të mund të ndikonte në rritjen e besimit dhe në vazhdimin e dialogut në frymë më konstruktive dhe në të cilën do të kishte më shumë gjasa për të arritur rezultate konkrete”, ka thënë ai.

Për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate lidhur me targat, Kosova dhe Serbia u pajtuan në fund të muajit shtator, pas dy ditë diskutimesh, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Marrëveshja e cila zhbllokoi situatën e krijuar në veri, parasheh që të dyja palët brenda 6 muajsh, nga takimi i parë i mbajtur në tetor të 2021-s, të arrijnë një zgjidhje lidhur me përdorimin e targave të të dyja shteteve në vendet përkatëse.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është kritikuar nga ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë.

Sipas Skender Hysenit, bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare duhet të vendosen në krye të listës së prioriteteve të ekzekutivit.

“Duhet të përqendrohet te dialogu dhe tek arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të përhershme me Serbinë. Rruga është shumë e thjeshtë: Kosova në vend që t’i ikë dialogut, në vend që ta vendosë dialogun si prioritet të 10-të a të 11-të duhet të thotë që dialogu me Serbinë është numër një dhe i vetmi tani për tani”, ka thënë Hyseni, i cili ka vlerësuar lart angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë proces, e bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

“Unë besoj që përpjekjet dhe angazhimi i amerikanëve nuk do të mungojnë dhe është gabimi më i madh nëse e quajmë presion. Duhet ta quajmë këshillë dashamirëse dhe koalicion. Është një koalicion Kosovë – SHBA – BE që të gjendet një zgjidhje për problemin me Serbinë”.

Përveç emisarit të BE-së e atij të SHBA-së, mbështetje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ofruar edhe Britania e Madhe. Emërimi i Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se janë duke punuar “shumë ngushtë” me të gjithë partnerët ndërkombëtarë e në veçanti atë të SHBA-së. “Ne sigurisht mirëpresim mbështetjen e të gjithëve për dialogun dhe për udhëheqjen e BE-së në të”, ka shtuar Stano. Në anën tjetër, për rolin e Britanisë në dialog, nuk kanë pranuar të flasin nga Ambasada amerikane në Prishtinë, derisa kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e për të cilin është thënë se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një mjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh, për të cilën presidenti Biden ka thënë se duhet të “përqendrohet në njohjen reciproke”, ka deklaruar Eric Bassil, zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Bisedime të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk janë zhvilluar që nga korriku i vitit të kaluar. Ky takim ishte mbajtur një muaj pas atij në qershor, e nga të cilët nuk u arrit gjë e palët nuk u dakorduan për asgjë. Pas takimit të mbajtur në mes të muajit qershor, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, pranoi se bisedimet mes dy palëve nuk janë të lehta.

“Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe përkushtimi i sinqertë nga të dyja palët është i nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë. Le të jemi të qartë – dialogu dhe rezultati i tij janë rruga drejt së ardhmes evropiane për të dyja vendet”, kishte thënë ai.

Edhe në korrik, dakordësia midis dy palëve ishte që të vazhdojnë të takohen sërish. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se në tavolinën e bisedimeve kanë propozuar një marrëveshje për disa çështje, e cila është refuzuar nga presidenti i Serbisë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit