Nga Bedri Islami
Nëse dikush, para disa viteve, do të kishte shkruar se një ditë aleanca mes dy kundërshtarëve politikë, Berisha dhe Meta, do të ishte në këtë derexhe, me siguri do të ishte i pabesuar. Në fakt, ata janë në ditën e tyre më të rëndë të hallit të përbashkët. Askush nuk është fajtor veç tyre dhe familjeve që i rrethojnë, ku, dy burrat duken grarishte dhe dy gratë burrërishte.
Dy gazetarë të njohur u përfshinë në një vorbull rreth fajësisë apo të vërtetës mbi ndikimin e bashkëshortes Berisha në vendimmarrjet fatale dhe keqqeverisjen në periudhat drejtuese të pushtetit nga familja, të cilës nuk i qëndron larg edhe familja tjetër, fqinje e tyre në Gjirin e Lalzit, ajo e Ilir Metës dhe Monika Kyemadhit.
Ilir Meta nuk është aq i mençur sa duhet ta bënin marrëzitë e tij, dhe nuk është aq trim, sa të jetë shëmbylltyra e një skraparlliu të vendosur. Pak vetë, vetëm budallenjtë e mëdhenj mund të besojnë se pas veprimeve të Kryemadhit, ta zëmë për djegien e mandateve, nuk ka qëndruar edhe presidenti në detyrë, e po ashtu, vetëm budallenjtë nuk mund ta dinë se pas presionit të Metës për të kollofitur me bllok, nuk është edhe grykësia e Monika Kryemadhit.
Vetëm marrokët e pashoq mund të besojnë se Berisha nuk e dinte se çfarë po ndodhte në Gërdec, e, po të njëjtët e kanë të pamundur të besojnë se kryefamiljarja e Berishajve kishte aq guxim të llokoçiste broçkulla në mbrojtje të Gërdecit, sa të mos e dinte as kunatin e saj se ku ishte në fabrikën e vdekjes.
Ndaj sot, këto dy familje janë aq shumë të lidhura me njëra-tjetrën, plotësojnë ato çfarë tjetri mund të lërë pas vetes dhe kanë krijuar këtë katërkëndësh, brinjët e të cilit janë gjithandej të barabarta nga madhësia, por të ndryshme nga forca.
Nëse Kryemadhi është shfaqur haptas në politikë dhe këtë e ka bërë përmes një harbutërie pa asnjë ide dhe vizion, grykësie dhe marramendje të habitshme, krijuar përmes idesë se janë të përhershëm në kreun e vendit, Liri Berisha ka qenë shumë herë më e tërhequr, por jo më pak aktive.
Njeriu i parë që erdhi në janarin e vitit 1991 në Shqipëri nga qeveria serbe, ishte pikërisht njeriu i lidhur ngushtë me familjen e saj, i cili, veç direktivave që solli për partinë e re të porsaformuar, dorëzoi te Azem Hajdari edhe donacionin e parë financiar.
Ky njeri, që më pas mendoi të instalonte njerëzit e tij në Tiranë, qëndroi si eminencë gri deri në vitin 1997, filloi të ndërtonte banesën e tij, që e braktisi sapo e mori me mend se fundi ishte jo i largët.
Fakt është, po ashtu, se bashkëpunëtorë të njohur si të lidhur me shërbimin e fshehtë jugosllav, që kishin zënë vend edhe në selinë e Komitetit Qendror, apo shquheshin si profesorë të marksizmit, nuk u bënë rastësisht eminencët e hapur të presidencës Berisha. Lidhjet ishin të vendosura nga njerëzit e familjes, që tani, si këshilltarë apo figura shumë të afërt të Millosheviçit po vendosnin kontaktet në Shqipëri.
Zhdukja e dosjeve të të gjithë bashkëpunëtorëve të shërbimit të fshehtë jugosllav, që kishin vepruar në Shqipëri dhe dekonspirimi i atyre që bashkëpunonin me shtetin shqiptar, ishin ndër veprimet më agresive dhe shërbyese të kohës së presidencës Berisha dhe diktatit të Gazidedes.
Nuk është hera e parë në trevën ballkanike që “matriarkati” politik sundon mbi ligjin, mbi burrat, mbi jetën e vendit dhe, për fat të keq shembujt nuk janë të largët , as në kohë dhe as në hapësirën tonë. Shembylltyra e tyre sillet ende dhe njëzet vite më parë ajo kishte pamjen milloshoviçiane, e tre dekada më tej atë të pamjes zezonë çuasheskiane.
Historia përsëritet dhe duhet të jetë njeriu falenderues që këto gra dhe burrat e tyre nuk sunduan, qoftë edhe për pak kohë, në një shtet monist, në të cilin sundimi i tyre do të ishte i përbindshëm dhe jo vetëm politik.
Ata, në një shtet plural, ku gjërat, të paktën, bëjnë sikur kontrollohen, kanë krijuar perandori marramendëse financiare. Në trupën familjare në krye të kësaj perandorie dy gra, njëra e ashpër në pamje, në stil, çoroditëse dhe e padurueshme, Kryemadhi, dhe, tjetra, përmes pamjes mallëngjyese dhe të heshtur, Berisha, janë në majën e piramidës, ku e pashpallura non grata është më e rënduar se e shpallura, dhe përmes humorit të zi, “kursen lekët” për të mos shkuar në SHBA, a thua se ndonjëherë ka shkuar me paratë e saj.
Tani, dy familjet, të bashkuara si kanë dashur në të gjithë dekadën e fundit, megjithëse duken solide janë edhe më të ndarë, por edhe lehtësisht më të goditshëm.
Të pasur deri në skaj, zotër të pronave përrallore, përfitues të pallogaritshëm, anadollakë në konceptin e shtetit dhe bjerrahumbës në perceptimin e së ardhmes, të çoroditur deri në thelb dhe kërcënues si rrugaçë të zakonshëm. Shefat e institucioneve më të rëndësishme të vendit janë në udhën drejt humbjes dhe asgjë nuk e ndalon atë. As njëri e as tjetri nuk ka më forcën për të përmbysur, as njëri dhe as tjetri nuk do të jetë kurrë më sundues, qoftë edhe i përkohshëm, dhe,të dy bashkë nxitojnë të kapin të njëjtin fund, duke pritur çastin se cili më i pari nga të dy, do të shtyjë tjetrin në humnerë.
Berisha bëri gabimin e tij fatal: lidhi fatin e tij, edhe ashtu në humnerë, me njeriun që nuk e duan as të vetët, ata që ka pranë dhe votuesit që ka larg. Ai zgjodhi rrugën më të shkurtër për 6 kandidatë të përbashkët, kur, përmes një ecurie tjetër, mund të gjente rrugën e kandidimit si të pavarur, duke mbledhur 3 mijë firma për secilin kandidat.
Stafi rreth tij dembelë dhe të mësuar të kenë gjithçka gati nuk dolën nga vetja, gjetën rrugën më të shkurtër, thjeshtë se nuk janë mësuar të ngrenë një godinë politike. Ai, Berisha, sikur të mos ishte ujku plak i politikës, njeriu që kishte rënë të theqafje dhe ishte ngritur, i handakosuri që e gjeti veten, për herë të dytë, në krye të shtetit, lidhi marrëveshjen e tij fatale, që, edhe pse mund të jetë në ndonjë fitore periferike, përsëri do të jetë më e rëndë se ajo e Pirros.
“Tulla” proverbiale nuk do të gabojë drejtimin e saj dhe Ilir Meta nuk as parzmore dhe tani, as mend, për të mbrojtur disfatën.
Pas tyre qëndrojnë dy figura që, në kohë të ndryshme, dukshëm apo fshehtas u shfaqën si lubi të kapjes së shtetit, u bënë personifikimi i së keqes dhe i grykësisë.
Ilir Meta është në hallin e tij. Ai hall e ka çoroditur dhe shkarkuar mendërisht, sa që ende, edhe në delirin e tij më të keq, ëndërron për “ popullin e 2 marsit”, si të ishte një kope e tij. Megjithëse e vështirë të mendohet një president më i mbrapshtë dhe anormal, që ka shkelur aq haptas dhe brutalisht Kushtetutën e këtij vendi, ai ende mendon për ndëshkimin si mjeti i tij fondamental, por edhe si kërbaçi me të cilin mund të trembë të ardhmen.
Dhe kjo është nxirë jo vetëm nga bëmat e tij, por edhe të “zonjës së parë”, që sado e kuruar të jetë, tani nuk është e vështirë të shohësh edhe përtej fasadës.
Askush nuk e ka sot hallin e Sali Berishës. Ai është në Kuvend, duke e ditur se kulla e tij është shembur dhe se nga gërmadhat e rëna nuk mund të ngrihet asnjë godinë e re. Përballë vetes do të ketë 139 deputetë të tjerë, disa nga të cilët kanë lindur pas kohës së tij të liderllëkut, nga cilët, ka prej atyre që e shohin si heroi i kohës së prapme dhe të tjerë si njeriu që nuk duhet të jetë aty. Në fakt, nuk do të duhej të ishte asnjëherë.
Tani atij nuk do i duhet të ndeshet me Fatos Nanon, të cilin , pasi e dërgoi në burg, e anatemoi dhe e quajti vrasës, e, shumë herë, e keqja e madhe e Shqipërisë , e më pas e bëri mik dhe e mikloi, për të pasur rishtas armik.
Nuk do i duhet të ndeshet as me Ilir Metën, i cili, befas, urdhëroi ta ndalonin, ta nxirrnin me forcë nga makina ku ishte blinduar, ta dërgonin si një endacak në një rajon policie, për t’u bërë më pas vëllamë dhe bashkëpunëtorë në krim. Nuk do të ketë ballas as Aleksandër Meksin, më të mirin kryeministër të demokratëve, që normalisht do të ishte lideri opozitës, por që forcërisht ia mori drejtimin.
Kundërshtari i tij nuk është as Edi Rama, të cilin kaq herë kërkoi ta zvarrisnin në ujërat e Lanës, apo kishte kërkuar një snajper të pestë në dorën e pestë për t’a vrarë. Rama mbetet aty ku është, kryeministër, i mirë apo i keq, ndërtues apo shkatërrues, kjo nuk është më në dorën e Berishës. Njeriut , të cilit më shumë se askujt tjetër, i intereson të jetë kjo dyshe e përbashkët, ngjitur me familjet e tyre, është pikërisht Edi Rama, e jo më kot ai investoi politikisht e jo vetëm politikisht, të jetë kjo gjendje e opozitës, me të cilën përballë ai do të mund të jetë në pushtet deri sa të lodhet nga qeverisja.
As bubullimat e presidencës dhe as gjëmet e foltores nuk e prishin keq qeverisjen e tanishme, përkundrazi, janë mjegulla që mbulon zullumin e shton ogarkinë.
Berisha e di se përballë vetes ka njërin nga institucionet më të rëndësishme të botës, Departamentin Amerikan të Shtetit. Ambasadorja Kim është veçse lajmësi dhe, sado që të përpiqet të njësojë një Zonjë me një Institucion dhe, për më tepër, të nxisë një lukuni kundër saj, fakti nuk ndryshon: llogaritë janë bërë në Uashington, fatura i ka ardhur përmes zëdhënësit.
Si rrallë herë ndodh kjo me një politikan që për 30 vite ka luajtur në skalierën e politikës; ai e ndjen se nën këmbët e tij nuk ka më as tokë, as rërë, e për më tepër, as ujë. Gjithçka është e rrëshqitshme dhe ai është në rënie. Besnik i parimit se, “pas meje, u bëftë qameti”, ai e ka më të lehtë të tërheqë pas vetes gjithëngrehinën e opozitës, se sa të mendojë se do të jetë i vetëm në fundin e gërmadhave.
Mes shumë zjarreve njëherësh, ai ende nuk e vendos dot se cilën rrugë mund të marrë, për të shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohet. Jo vetëm fatin e tij, apo të familjes së tij.
Të largohet nga parlamenti – kjo është gjëja e fundit që i ka shkuar në mendje. Ai e ka ditur para të tjerëve se do të jetë një ditë e tillë. Dy njerëz e kanë ditur, ai dhe Edi Rama. Nuk është ditur koha, por është pritur vendimi. Askush tjetër nuk ia ka hedhur në erë urat e demokracisë vendit të tij në këto 30 vite se sa ai vetë – këtë e di fare mirë, sepse e ka bërë jo rastësisht, ashtu si jo rastësisht u gjend në kreun e opozitës. Shpallja nuk dihej, vendimi pritej.
Largimi nga parlamenti ishte dërrasa e fundit që do të ngulej mbi politikanin Berisha, dorëzimi i tij i pashpresë pranimi i humbjes dhe i 30 viteve humbje, në të cilat nuk kishte humbur vetëm ai, por i gjithë vendi, ku ai kishte drejtuar.
Përherë agresiv, joshës i së keqes dhe prijëtar i saj, ai, sado gjatë të rrijë në parlament, nuk largohet prej saj ashtu si hyri, meb luzën e bardhë, por të përgjakur. Një fund që nuk shmangej dot. Së bashku me të do të shembej edhe një lob i fuqishëm që fshihej pas tij, që në shumë raste kishte lidhje me lobin e furishëm serb, në Tiranë e sidomos në Prishtinë.
Do të ishte paralajmërim edhe për liderët e tjerë shqiptarë, të cilët, çuditërisht, në këto 30 vite, kishin afruar pranë vetes një shumësi njerëzish,të cilët, në rrethana të ndryshme i kishin shërbyer regjimit të shtetit serb në Kosovë. Këto emisarë, që nga i pari, i cili arriti në janarin e vitit 1991, u takua me Azem Hajdarin dhe solli “donacionet” e para financiare dhe udhëzimet për shkatërrimin e çdo gjëje, që nga serat dhe deri tek vizioni i përbashkët shqiptar rreth bashkimit të kombit, e deri të tashmit, që ndërtojnë programe e statute partish të majta, tellallë të ndryshimit të kufijve apo zëdhënës qeveritarë, me dorëzimin e Berishës do të kishin më pak frymëmarrje.
Ndoshta ky do të ishte fillimi I fundit të ndikimit të lobit serb në Shqipëri, edhe më tej, në Kosovë. Vetëm kur kujtoj se si një figurë e rënduar nga shërbimi që bënte ndaj UDB-së, shefi i saj në Pejë, Mehmet Loci bëhej këshilltar i Rugovës, e më pas, i Gazidedes dhe i dërgonte informacione për lëvizjet e UÇK-së, apo se si Shkëlzen Maliqi shpallej si këshilltar i Ramës, kur i ati kishte qenë ministër i brendshëm në vitin ‘81, dhe ai vetë, së bashku me Veton Surroin partizanë të flaktë të neojugosllavizmit, është mjaftueshëm qartë për të ditur se deri ku shkonin fijet e një vijësjellje të tillë.
Fazlliçi, nipi i Stanishiçit, shefit të shërbimit të fshehtë serb, bëhej miku i shtëpisë i Berishës dhe beniamini i Bashës, hynte pa teklif në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, blinte e shiste prona përmes studios Malltezi, lëvizte miliona nga llogaritë e fshehta në banat qipriote, nën mbrojtjen personale të Berishës nuk guxonte asnjë prokuror ta pyeste; për të shkuar më tej te krushqia e habitshme e Ballkanit të Hapur – një surrogato politike pa asnjë vizion.
Tani që Shtetet e Bashkuara janë të gatshëm të ndalojnë influencën ruse dhe serbe në Ballkan, duke vënë në lëvizje figura të njohura për agresivitetin e tyre dhe përcjelljen e një vizioni ndryshe, ai që ndjen tërmetin politik është pikërisht lobi i politikës serbe në rajon.
Në këtë hall është edhe familja tjetër, thellësisht mafioze e Ilir Metës. Në ditën më të largët të mundshme të largimit nga presidenca, 24 korriku, ndonëse kjo ditë do të jetë më e afërt, familja mbetet me vetëm 4 deputetë, pa asnjë grup të shpallur haptas parlamentar, me zëra që nuk bindin askënd dhe pa joshjen e pushtetit e të pasurisë, si a ndodhur rëndom me lësëistët.
Gabimet paguhen, fajet ndëshkohen. Si njëra, ashtu edhe tjera familje janë përtej gabimeve. Fajet rëndojnë mbi to.
Ndoshta një ditë do të ndodhë edhe ajo që njerëzit ëndërrojnë: vilat e tyre të kthehen në rezidenca qeveritare apo në vendpushimet e familjeve të lodhura nga jeta dhe nga grabitja që u bënë pronarët e këtyre vilave. Mos u çuditni për asgjë – thonin helenasit e lashtë!