Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi një ulje prej 7 për qind në taksat për produktet bazë ushqimore, ndërsa vendi përballet me inflacionin jashtë kontrollit.
Erdogan tha se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ulej në 1 për qind nga 8 për qind që është aktualisht për ushqimet. Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe do të hyjë në fuqi të hënën.
Ai ka shtuar se paralelisht me uljen e taksës, qeveria pret që kompanitë ushqimore të ulin çmimet e tyre me 7 për qind. Ai tha se këto produkte ushqimore luajnë një rol të rëndësishëm për inflacionin.
Të dhënat zyrtare për janarin tregojnë se inflacioni është rritur në nivelin 48.69 për qind në vit, megjithëse ekspertët e pavarur thonë se është realisht mbi 115 për qind.
“Nuk do të lejojmë që inflacioni të shkatërrojë vendin tonë”, tha Erdogan.
Kritikët thonë megjithatë se vendi po vuan nga inflacioni i lartë për shkak të këmbënguljes së zotit Erdogan për të ulur normat e interesit. Ai beson se inflacioni shkaktohet nga normat e larta të interesit, në kundërshti me teorinë tradicionale ekonomike.
Banka Qendrore e Turqisë, pavarësia e së cilës është zvogëluar nga qeveria, kishte ulur normën bazë të interesit që në shtator. Kriza e monedhës e uli lirën turke në nivelet më të ulëta në muajin dhjetor. Për shkak se Turqia mbështetet tek importet për të plotësuar nevojat e saj energjetike, si dhe për materialet bazë dhe furnizimin me shumë produkte ushqimore, çmimet kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta.
Këtë javë lira turke shkëmbehej në nivelin 13.49 me dollarin. Niveli më i ulët i arritur në dhjetor ishte
Ministri i Thesarit dhe Financave, Nureddin Nebati gjithashtu njoftoi një masë për të inkurajuar njerëzit të sjellin floririn që mund ta kenë mbajtur “nën jastëk”. Ai tha se nga 1 marsi do të çeleshin 1,500 objekte ku njerëzit mund të sjellin metalin e çmuar që do të integrohet në sistemin financiar në formën e depozitave.
Ai shtoi se njerëzit do të kenë gjithashtu mundësinë ta tërheqin më vonë floririn e tyre në formën e arit, nëse kështu do të dëshirojnë. /VoA