-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Gara absurde në PD për trashëgiminë e Bashkim Gazidedes

Kryesoret

Nga Ilir Babaramo

Thënia latine: Për të vdekurit vetëm fjalë të mira ose hesht, nuk është e vlefshme për rastin e Bashkim Gazidedes. Sigurisht për shefin e dikurshëm të SHIK-ut, jo për atë si individ. Ne vuajmë nga një amnezi kolektive. Është një nga defektet tona kombëtare, që jo vetëm falim, por dhe harrojmë, shkaku që përsërisim të njëjtat gabime. E pra, në kohën kur brezi i ri, vështirë ta ketë dëgjuar emrin e drejtuesit të policisë politike të viteve ’92-’97, Berisha e risolli atë në vëmendjen e opinionit publik. Mitingu i të dielës dëshmoi se për njeriun që kërkon të rikthehet në krye të PD është e vlefshme thënia që qarkulloi në Paris pas kthimit të Burbonëve nga ekzili: Asgjë s’kanë mësuar, asgjë s’kanë harruar.

Pikërisht në vendlindjen e tij, në Dibër, emri Gazidedes ka provokuar një garë mes Berishës dhe Bashës. Në fjalimin elektoral, Berisha shqetësimin më të madh kishte faktin se vëllai i Gazidedes nuk është me Foltoren, por me Bashën. Për bashkëpunëtorin më të afërt të dikurshëm të tij, përdori një enumeracion superlativash. Nuk duhet gjykuar si një mirësjellje njerëzore, kod respekti për vdekjen. Është realisht për t’u shqetësuar. SHIK-u i qeverisjes së parë të Berishës është një nga pjesët më të zeza të trashëgimisë së tij. Por, me ato çfarë ai tha të dielën në Dibër, Berisha dëshmoi se krenohet dhe nuk ka pikën e brerjes së ndërgjegjes për këtë pjesë të trashëgimisë së tij politike.

SHIK-u i drejtuar me dorë të hekurt nga Gazidede kishte gjithë tiparet e një policie politike. Ishte trashëgimtar i denjë i metodave të Sigurimit të Shtetit, njërit prej shërbimeve më represive në krejt Lindjen komuniste. Me shembjen e komunizmit, Berisha me Gazideden kishin mundësinë ta humanizonin shërbimin dhe ta kthenin atë në nga një vegël të pushtetit në një mjet të shtetit. Nuk ndodhi kështu. Madje vit pas viti e bënë po aq të urryer për qytetarët, të cilët vetëm pak vite më parë nxirrnin bejten tallëse: hidhe vallen trim i trimit, oficer i Sigurimit. E pra, këta trimat e trimave ishin zgjedhur me të njëjtin kriter si paraardhësit e tyre në ato zyra. Një kriter kryesor ishte përkatësia krahinore e shefave të tyre. Kjo përkatësi, që nuk kishte pikën e lidhjes me profesionalizmin, nënkuptonte mbi të gjitha fanatizmin partiak. Më shumë se gjithçka tjetër, SHIK-u i Gazidedes u përpoq të mbillte ndarjen Veri-Jug. Ndërkohë kushdo që ishte i besimit ortodoks trajtohej si një agjent i Greqisë që në lindje.

Brezi i ri e ka të paimagjinueshme si zhvillohej lufta politike dhe mbi të gjitha si trajtohej opozita nga pushteti 30 vjet më parë. Drejtuesit e saj ishin të përgjuar në çdo hap. Çdo kundërshtar i pushtetit konsiderohej si armik i shtetit. Për pesë vjet me radhë militantët e opozitës e kishin më të vështirë aktivitetin sesa LDK në të njëjtën periudhë në Prishtinë. Drejtuesit e saj ndiqeshin dhe rriheshin barbarisht, publikisht. Një departament i posaçëm në SHIK që identifikohej prej xhupave të zinj të lëkurës, ishte ngritur me këtë qëllim. Madje qelitë e SHIK-ut ku torturoheshin e zhdukeshin njerëz si Remzi Hoxha pak ndryshim kishin nga ato të Sigurimit të dikurshëm.

Nëse për Shqipërinë, SHIK-u u kthye në vegël qorre të Sali Berishës, për Kosovën u bë një instrument politik i Bujar Bukoshit, kryeministrit të qeverisë pacifiste të Kosovës në mërgim. Drejtuesit politikë të UCK survejoheshin. Madje shumë prej tyre përfunduan në qeli në Shqipëri. Interesat partiake dhe financiare të Berishës dhe Bukoshit konvergonin pikërisht në strukturat e SHIK-ut. Në vend të bashkëpunimit me drejtuesit e UÇK, SHIK-u i Gazidedes punonte me ish-oficerë shqiptarë të UDBA-s për të cilët Bukoshi thoshte se ishin në shërbim të tij.

Bashkim Gazidede u shfaq vetëm një herë në publik. Pak orë para se të arratisej, në marsin e vitit 1997, mbajti një fjalim në parlament, një fjalim që për sulmet që bëri kundër CIA dhe SHBA do ta kishte zili dhe Kadri Hazbiu. SHIK-u i Bashkim Gazidedes është një nga kapitujt më të errët. Kujtesa ende e gjallë e bëmave të këtij shërbimi duhet të jetë një nga shkaqet përse PD kurrë nuk ka mundur të dalë parti e parë në zgjedhje. Qeverisjen e dytë e siguruan veç falë ndarjes të së majtës. Pikërisht për këtë arsye gara se me cilin fraksion do jenë pasuesit gjenetikë të Gazidedes është jo vetëm produkt i një logjike politike tribale, por dhe vetëvrasëse elektoralisht.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit