Dëshmitarët e parë të pyetur në seancën e sotme në Komisionin Hetimor të Kuvendit për inceneratorin e Elbasanit ishin administratori i shoqërisë “Intergrated Technology Servis” shpk Faraudin Arapi dhe administratori i shoqërisë “Albtek Energy” shpk Arjan Baci. Administratorët janë caktuar pas shpalljes në kërkim të pronarëve të shoqërive të Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas dhe sekuestros.
Inceneratori ende nuk është vendosur në punë, tha Arapi. “Shumë shpejt brenda javës mendojmë se inceneratori do të vihet në punë dhe të prodhojë energji”. Por pavarësisht se nuk djeg inceneratori është në punë. “Mbajtja në punë e inceneratorit të Elbasnit ka një kosto, x lekë, pasi po të fiket do ditë të tëra që të ndizet, prandaj është ndezur”
Arapi theksoi se nëse nuk do të ishte vendosur në sekuestro, inceneratori do i ishte dorëzuar bashkisë. “Certifikimi i punimeve ka përfunduar brenda afateve kohore. Duhet ta merrte bashkia e Elbasanit, por për shkak të sekuestros nuk lejuam marrjen në administrim, por nuk lejon ligji.
I kërkuam organit të futemi në pozicionet e punës dhe i kërkuam bashkisë përgatitjen e specialistëve për ta marrë në pronësi, gjë që realisht ka pasur disa pengesa, por nuk ka përbërë thelbin. Kontrata koncesionare për ne, po të mos dilte vendimi do të quhej e mbyllur”.
Dy administratorët u përfshinë në debat me deputetin e PD-së, Luçiano Boçi i cili i pyeti se ku përfundon hiri si pasojë e djegies së plehrave. Në kontratë, tha Boçi, si për hirin duhet të ketë venddepozitim dhe jo të hidhet në Shkumbin, po ashtu edhe për trajtimin e ujërave të zeza.
Përgjigja e Arapit nuk ishte shteruese duke lënë të kuptohet se nuk ka një vend-depozitim. “Një sqarim për të kuptuar, mendimin që shfaqët ju. Personalisht kam inspektuar inceneratorët dhe landfillët, kam parë ndoshta në Elbasan, jam marrë më shumë me bashkinë për hiret.
Unë di nga ana teknologjike, që inceneratori i Elbasanit nëse kalon mbi 1 mijë gradë, djegia nuk bëhet më e toksifikueshme. Në inceneratorët e tjerë, po marr Fierin, por edhe Vlorën që është në pjesën e parë, janë gropa të veçanta. Elbasanin nuk e kam” tha Arapi.
“Sot djegiet bëhen me 4 mijë gradë, Elbasani e ka një mijë gradë dhe pasojat në hi, është shumë e madhe. Kontrata e ka të përcaktuar, që duhet vend-depozitim për hiret, ku shkojnë?” pyeti sërish Boçi, por që nuk mori përgjigje.
/5pyetjet.al