“Gjatë qeverisjes mbase mbaj mend vetëm një natë me një opozitë racionale, por asnjë ditë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Zërin e Amerikës” duke “thumbuar” Lulzim Bashën për marrëveshjen e 17 majit të 2017, ku qëndruan së bashku, të dy “kokë më kokë” për më shumë se katër orë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, që solli më pas paktin dhe daljen e opozitës nga çadra.
Krizën në të cilën ndodhet PD-ja, Edi Rama e përshkroi si pengmarrje spektakolare, dramatike për opozitarizmin dhe Shqipërinë. “Ajo që ndodh është shumë dramatike. Është një përçarje e madhe, që reflektohet në një ndarje të madhe edhe në popull edhe te njerëzit, duke shkatërruar premisat e një opozitarizmi modern, alternativë fituese dhe duke dëmtuar vendin.
Njëri i shpallur non grata nga SHBA që është fundi i botës për cdo lider dhe tjetri një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën, por në fakt është peng i vetvetes. Janë dy udhëheqës pa legjitimitet” tha Rama.
Edi Rama nuk njeh asnjë nga dy palët në PD. “Që të dyja janë pa legjitimitetin moral për të qenë aty ku janë për shkak të dy drejtuesve të tyre, që janë pengje të së shkuarës të dy”. Për zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashkitë e vendit, Rama tha se “Ne do të respektojmë zgjedhjen e qytetarëve. Për ne nuk është betejë për jetë a vdekje, por ofertë për komunitetet. Kush do të dojë të ecë përpara, do të japë votën për kandidatët tanë”.
I hapur për reformën zgjedhore. “Unë mendoj që mund të bëjmë cdo ndryshim, por në thelb reforma zgjedhore nuk të jep fitoren në tavolinë. Zgjedhjet fitohen në popull. E bëjmë edhe një reformë tjetër, por nuk do të zgjidhë problemin e atyre që kërkojnë reformë pas cdo humbje” tha ai. Por edhe për atë territoriale edhe pse dy palët janë në drejtime të kundërta, pasi PS do më pak bashki, ndërsa PD më shumë.
/5pyetjet.al