Komisioni hetimor i Kuvendit të Shqipërisë, që drejtohet nga deputetja demokrate Jorida Tabaku ditën e sotme mori në “pyetje” dy administratorët e caktuar nga shteti për menaxhimin e inceneratorit të Elbasanit pas sekuestrimit në momentin që u arrestua Lefter Koka.
Farudin Arapi, njeriu i njohur për administrimin e aseteve të skemave piramidale të viteve 1990 dhe Arjan Baci janë dy njerëzit që administrojnë inceneratorin e Elbasanit. Të dy u shprehën se ky incenerator aktualisht prodhon energji, por nuk e shet, pasi ERE, nuk ka caktuar çmimin dhe nuk ka kontratë.
Gjithashtu Albtek Energy, sipas Arapit mori kredi sovrane për pagat.
“Shoqëria Albtek Energy ka kredi për pagat që ende nuk e ka likuiduar. Problemi i dytë që mendoj se është themeltar, Albtek nëse do të ishte realizuar edhe me çmimin e energjisë 8.3 lekë dhe jo 12.5 lekë/kwh që është energjia, sot duhet të ishte me fitim.
Por edhe me 8.3 lekë/kwh, përballon shpenzimet dhe do të dilte rentabël. Albtek i ka mundësitë shumë shpejt, do të fillojmë shumë shpejt vënien në punë, nuk është defekt i shoqërisë, por i ERE-s që duhet të caktojë çmimin” tha Arapi.
“Inceneratori ishte funksional dhe prodhonte energji elektrike në momentin e marrjes në dorëzim” tha Baci. “Arkëtime nga shitja, nuk ka pasur, por prodhimi i energjisë elektrike është bërë” tha më tej ai. “Të ardhurat nga bashkitë që sjellin plehrat janë zero” tha më tej ai.
/5pyetjet.al