Anëtari italian i ekuipazhit të tragetit të linjës Greqi-Itali, që mori flakë ditën e djeshme në afërsi të Korfuzit ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi nga flakët e zjarrit që pushtuan anijen “Euroferry Olympia” .
“Flakët ishin të mëdha, besoj se zjarri ka rënë brenda një garazhi, jo në kuvertën e hapur ku kishte 28 kamionë, përndryshe do të ishte frenuar më lehtë. Zjarri u përhap shumë shpejt. Fatmirësisht ne jemi trajnuar mirë dhe evakuimi ishte i shpejtë dhe efikas,” tha ai për mediat italiane.
Italiani, i cili nuk ka dashur ti përmendet emri, pasi kjo është e ndaluar nga kushtet e kontratës së tij me kompaninë pronare të anijeve Grimaldi Group, ka folur me telefon nga hoteli Cavalieri në Korfuz, ku është transferuar.
“Fëmijët kërkonin të gjenin prindërit e tyre”
“Çfarë kujtoni nga momenti i rënies së zjarrit”, e pyet gazetari.
“Tani jam në Korfuz, por duhet të shkoj të blej rroba. Zjarri shkatërroi gjithçka. Më duhet të nxitoj, dyqanet po mbyllen dhe duhet të blej diçka për të veshur. Gjithçka ishte djegur. ”
“Çfarë është “gdhendur” thellë në kujtesën tuaj?
“Fytyrat e dy fëmijëve shumë të vegjël, të cilët kërkonin prindërit e tyre mes turmës. Vështrimi i tyre kur i pashë, nuk mund ta harroj. Por edhe reagimi i pasagjerëve kur dolëm nga anija dhe ishim të sigurt në varkën e shpëtimit.”
Ndërkohë operacionet e kërkim shpëtimit janë duke vazhduar pranë ishullit grek të Korfuzit.
Roja bregdetare greke tha se 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit kishin qenë në traget, në pronësi të firmës italiane Grimaldi Lines. Shumica e pasagjerëve ishin shtetas italianë, sipas guvernatorit të ishujve Jon, Rodi Kratsa-Tsagaropoulou, ndërsa ekuipazhi ishte grek dhe italian.
Nuk ka asnjë lajm nga 12 të zhdukurit, por gjatë gjithë ditës zyrtarët janë përpjekur të konfirmojnë se sa njerëz kanë mundur të largohen nga tragetet kur u dha urdhri për të braktisur anijen.