Konflikti ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk pritet të ketë implikime në zhvillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, konflikti Rusi – Ukrainë mund të ndikojë që ndërkombëtarët të nxitohen në një zgjidhje më të shpejtë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Problem e tjera siç janë raportet Kosovë-Serbi mbeten në orbitën e interesimit të Bashkimit Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj qe kjo mund të ketë efekte pozitive sidomos te këta tre aktorë që në vigjilje të këtij konflikti ta intensifikojnë interesimin e tyre, ta dinamizojne dhe të njëjtit t’i dhanë epilog sa më shpejtë”, ka deklaruar Hoti për Radio Kosovën.
Për Valon Murtezajn, nëse do të niste një luftë ndërmjet Rusisë e Ukrainës kjo patjetër që do ta tërhiqte vëmendjen e ndërkombëtarëve në Kosovë, mirëpo sipas situatës aktuale, nuk sheh zbehje të qëndrimeve të ndërkombëtarëve.
“Ka gjasa të mira që situata në Ukrainë e Rusi t’i kthehet diplomacisë dhe kjo më pas nuk do të këtë ndikim në çështjet e tjera sidomos në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ky proces është shumë i rëndësishëm për dy vendet. ShBA-ja dhe BE-ja janë të interesuar që të ketë progres në dialog”, ka thënë Murtezaj për Radio Kosovë.
Sidoqoftë Qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministër Albin Kurti është shprehur i gatshëm për rifillimin e dialogut dhe për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ligjërisht. Kryeministri Kurti në një intervistë në RTK ka thënë se dëshiron që problemin me Serbinë ta zgjidhë sa më shpejt që të jetë e mundur.