Nga Mentor Kikia
Një grua aktiviste, bërë e njohur gjatë protestave për Teatrin Kombëtar, Mirela Jorgo, ishte e ftuar këtë javë në një program televiziv ku diskutohej çështja e luftës në Ukrainë.
Kishte dhënë mendimin e saj, duke u shprehur se “lufta në Ukrainë nisi sepse Rusia nuk lejon që ky vend të bëhet anëtar i NATO-s…. Se Rusia ka të drejtë të kërkojë sigurinë e saj… Se NATO i kishte dhënë fjalën Gorbaçovit se nuk do të zgjerohet drejt kufijnë të Rusisë…Se në Ukrainë nuk ka nisur lufta, por një operacion special bombardimesh….”.
Nuk e kisha parë intervistën e saj, por më tërhoqën reagimet në mediat online dhe rrjetet sociale. Një shpërthim i shfrenuar sharjesh, ofendimesh, sulmesh….
Padyshim që rusët dhe ukrainasit nuk po luftojnë për sytë e bukur të Helenës, si grekët e trojanët dikur, dhe në thelb ajo që ka thënë kjo grua është e vërtetë. Por, padyshim që nuk është e drejtë. Unë mund të mos bie dakord me të, për çfarë ajo percepton si luftë, por kjo s’më lejon mua ti sulem asaj e ta quaj, me të gjitha fjalët perverse që përmban fjalori.
Ajo turmë njerëzish që i sulej Mirelës, më ngjante me një tufë hijenash të uritura, të cilave dikush u hedh një kafshë të ngordhur e turren ta shqyejnë.
Më ngjajnë me atë turmën e arenave në amfiteatrot romakë ku njerëzit qëndronin në shkallë e shikonin ndeshje mes tigrave dhe gladiatorëve.
Një histeri e pa imagjinueshme!
Po more po, një njeri ka të drejtë të ketë dhe ta thotë mendimin e tij, edhe kur ai është ndryshe nga ai i një miliard të tjerëve.
Kjo histeri, jam i bindur, nuk buron nga adhurimi i shqiptarëve për lirinë, demokracinë dhe drejtësinë. As nga dashuria e madhe për popullin ukrainas. Por buron nga një lloj modifikimi “genetik” që kanë pësuar nga njëri regjim tek tjetri.
Ne kemi kaluar shumë dashuri e urrejtje në histori.
Fillimisht kishin miqësinë me Jugosllavët. Kush dilte kundër ishte armik. Më pas, kush ishte pro, ishte armik. Dhe ishte turma, gjykatësi më i egër ndaj këtyre armiqve.
Filluam dashurinë me sovjetikët. Kush dilte kundër ishte armik. Pastaj kush dilte pro ishte armik.
Kaluam tek dashuria me kinezët. Sërish kush ishte kundër ishte e armik, e më pas kush ishte pro ishte armik.
Pastaj kaluam tek dashuria me amerikanët…
Sot po demonstrojmë një “unitet të çeliktë” për të qenë anti-rusë.
Solidariteti me një popull që është në një situatë të rëndë është dëshmi qytetërimi. Po nuk besoj se kjo lloj dhune verbale buron nga principe morale e qytetarie, por nga psikologjia e turmës. Ne jemi të dhunshëm, jo sepse jemi të këqinj, por sepse nuk njohim tolerancën, nuk pranojmë divergjenat në mendime e veprime. Kemi një dhunti të masakrojmë me gurë, të mblulojmë me baltë, të pështyjmë këdo që na hidhet në arenë, pa menduar se çfarë ka bërë.
Në po të njëjtën mënyrë ne përulemi para të pushtetshmit, servilosemi para tij, i ngrejmë piedestale. Kjo na ka bërë një shoqëri, sa agresive në kotësi, aq të përkulur në gjërat madhore.
/5pyetjet.al









