Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur sonte se lobistët shqiptarë kanë bërë gati planin për përjashtimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara. “Unë tashmë shoh iniciativa në vende të caktuara dhe e them këtë sepse po e ndjekim dhe siç e imagjinojnë shqiptarët në Kosovë dhe disa të tjerë.
Ata planifikojnë të thërrasin një debat për përjashtimin e Rusisë nga OKB-ja duke u bazuar në nenin 6 të Kartës së OKB-së. Pas kësaj do të ketë presion mbi Kinën për të ndryshuar Rezolutën 1244 dhe pas ndryshimit të Rezolutës 1244 nuk do të kemi bazë ligjore që të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur integritetin tonë territorial, siç e kemi sot. Dhe më pas do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete të NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë”, tha Vuçiç.
“Është e mundur apo jo, nuk e përjashtoj fare këtë mundësi. A do të thotë dikush që teknikisht nuk është e mundur, mendova se gjithçka nuk ishte e mundur dhe në këto tre-katër ditë pashë se është e mundur”. ka thënë Vuçiç.