Reshjet e dendura të borës kanë vështirësuar qarkullimin në Podujevë. Kryetari i kësaj komune Shpejtim Bulliqi ka bërë të ditur se janë duke punuar në zhbllokimin e rrugëve.
Bulliqi për të parë nga afër gjendjen e rrugëve, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, kanë vizituar rrugët në fshatrat Kërpimeh, Metehi dhe Repë.
“Reshjet e dendura të borës kanë vështirësuar qarkullimin. Ne jemi duke punuar në terren me kapacitete të plota për t’i zhbllokuar rrugët dhe qarkullimi i qytetarëve të jetë normal. Meqenëse reshjet janë të vazhdueshme, apeloj te të gjithë soferët të kenë më shumë kujdes”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.