Ditën e sotme, Lulzim Basha bëri dy deklarata me rëndësi; e para pas presionit të fortë të grupit pranoi që zgjedhjet e 6 marsit i humbi dhe së dyti u shpreh i gatshëm që të pranonte votëbesimin. Në fund të marsit, grupi i “Foltores” ka zgjedhjet për kryetar.
Sali Berisha dje konfirmoi që do të kandidonte. I pyetur nëse do të pranonte një “Kuvend bashkimi”, ish-kryeministri u hapi derën të penduarve, por a do të pranonte një garë me Lulzim Bashën për të nxjerrë një PD më të fortë?
Deputeti Agron Gjekmarkaj pak ditë pasi dorëzoi postin e n/kryetarit bëri dy lëvizje që mund të mos kenë lidhje mes tyre, por referuar situatës është e pamundur që të mos prodhohen aludime. Së pari ai bëri një postim në Facebook ku propozoi ngritjen e një komisioni të përbashkët mes grupit të Bashës dhe atij të Berishës për të shkuar më pas në zgjedhjet për kryetar të PD-së.
“PD duhet të bashkohet. Një komision nga dy anet duhet të ndertojë një platforme bashkimi e rithemelimi të vertete e jo pupulist stadiumesh. Ky komision mund të behet drejtimi i perkohshem i PD per ta çuar atë drejt gares ! Gara e vertete e nxjerr liderin dhe e bashkon partinë” tha ai.
Pas postimit, në media doli një foto, ku Gjekmarkaj shfaqet me dy deputetë të grupit të Sali Berishës, Edi Paloka dhe Flamur Noka. Pyetja që shtrohet është, a negocion Gjekmarkaj pikërisht këtë propozim që shpalosi?