Zhvillimet brenda kampit të opozitës janë të vrullshme. Nga e hëna, kur nisi furtuna pas zgjedhjeve të 6 marsit, deri sot, brenda tre ditëve ka pasur ndryshime radikale brenda PD-së, por edhe të vetë Lulzim Bashës. Lideri demokrat të hënën u përpoq të sfumonte humbjen duke e kaluar në plan të dytë, madje në periferi. Ai zhvilloi një takim me disa mësues për të dëgjuar hallet e tyre në ditën e 7 Marsit më pas dha një deklaratë për mediat, ku u hodh në sulm duke mos njohur realitetin.
“Nuk ka shqiptarë që nuk e kupton që 6 Marsi nuk është një normalitet, por është një anormalitet i një anormaliteti. Bandat janë përfshirë po kështu, sigurisht është edhe lufta, edhe sulmet, edhe denigrimi që i është bërë Partisë Demokratike megjithatë unë jam i vendosur dhe e di që këtë duan jo vetëm demokratët dhe mbështetësit tanë por dhe gjithë shqiptarët që Partia Demokratike ta kthejë këtë situatë” tha ai.
Për të shpëtuar, sulmoi edhe Sali Berishën, Ilir Metën dhe Edi Ramën. “Unë e kuptoj shqetësim personal të atyre që gjithçka në Shqipëri e bëjnë për interesat e tyre personale. Trekëndëshi i Bermudës çdo gjë e ka për interesa personale dhe do ta kthejë edhe këtë në interesin e vet personal dhe do ta kthejë në luftë personale”.
Por nuk u mjaftua me këtë nivel të pozitave mbrojtëse, kur shkoi më tej. “Dua të them se unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time”. Kjo fjali ishte fatale dhe i hodhi më shumë “benzinë zjarrit” që kishte nisur brenda PD-së. Refuzimi i pranimit të humbjes acaroi grupin parlamentar që i kërkuan dorëheqjen në grup, ndërsa dy nga katër nënkryetarët, Duma dhe Gjekmarkajn dhanë dorëheqjen.
Goditja ishte e fortë. Humbi zgjedhjet. Berisha i mori Shkodrën dhe vendin e dytë duke e zbritur të fundit. I vetmi që i mbeti për dy ditë në zyrë ishte Gazment Bardhi. I vendosur me “shpatulla pas murit”, sot kryedemokrati bëri një hap të fortë pas. Ai pranoi për herë të parë se zgjedhjet në 6 mars i humbi. Por jo vetëm kaq. Prapaktheu që bëri në krahasim me sulmin e së hënës ishte akoma më i fortë.
Nga refuzimi i humbjes tre ditë më parë, sot Lulzim Basha tha se 6 marsi ishte mësim. “Të mos humbim mësimin e madh të 6 marsit që është domosdoshmëria për të qenë sa më të fortë dhe sa më të bashkuar përballë këtij regjimi” tha sot ai. Nën dyshimet se mos është thjeshtë “karrem” për të ulur gjakrat, zbutja vijoi më tej, kur tha se ishte gati për votëbesim, por përpara kërkoi një analizë për shkaqet e humbjes.
Për herë të parë Sali Berishën nuk e anatemoi, duke u shmangur nga retorika e fortë dhe foli për bashkim të demokratëve. Por në koordinim me Gazment Bardhin u mundua që t’i paraqiste si emocionale dhe të ndikuara nga lodhja dhe pagjumësia kërkesat në bllok për dorëheqjen e tij.
Presioni i grupit demokrat “fitoren” e parë e arriti duke e detyruar Bashën të tërhiqej duke e ulur me “këmbë në tokë”, tashmë pritet për t’u parë nëse do ta çojnë drejt dorëheqjes, apo Basha do t’ia hedhë edhe këtë herë…