Ish-ministri Mile Janakieski sot është dënuar me dy vjet burgim me kusht në rastin “Dizajn”, për blerjen e 202 autobusëve dykatësh kinezë në Maqedoninë e Veriut.
Janakieski dënimin me kusht e mori pasi paraprakisht e kishte pranuar fajin, ndërsa i njëjti dënim u shqiptua edhe për dy të akuzuarit tjerë, anëtarë të Komisionit për Prokurim Publik.
Në këtë rast është i akuzuar edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, i cili do të vazhdojë të gjykohet, pasi nuk e ka pranuar fajin dhe ka deklaruar se nuk e kupton akuzën e ngritur ndaj tij. Ai akuzohet si anëtar i Komisionit për Prokurim Publik në Qytetin e Shkupit.
Rastin e ka hapur ish-PSP-ja, ndërsa hetimin e ka udhëhequr prokurorja Lile Stefanova.
Pas tri procedurave të pasuksesshme për prokurimin e autobusëve dykatësh të zhvilluara gjatë vitit 2008 dhe 2009, në shkurt të vitit 2010 është zhvilluar një procedurë e re e prokurimit publik. Gjatë hapjes dhe shqyrtimit të ofertave të dorëzuara pas shpalljes publike për prokurimin e 200 autobusëve të tipit të mbyllur dhe dy autobusëve të tipit të hapur, të akuzuarit S.F.P. (47) si kryetar dhe I.J.(36) dhe J.J.A.(62) si anëtarë të Komisionit për kryerjen e prokurimit publik të autobusëve dykatësh për NTP Shkup, në marrëveshje me të pandehurin e parë M.J.(43), kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe ka favorizuar një operator ekonomik i cili deri në ditën e hapjes së ofertave nuk kishte dorëzuar garanci bankare për ofertën dhe certifikatën e cilësisë ISO 9001:2000 siç parashihet në dokumentacionin e tenderit.
Komisioni, në vend që ta refuzojë ofertën si të paplotë, kishte vazhduar procedurën dhe kishte kryer vlerësim në dy ofertat e dorëzuara. Edhe pse oferta e operatorit ekonomik nga Republika e Bullgarisë ishte për 4.772.920 euro më e ulët, Komisioni përzgjodhi operatorin ekonomik nga Kina dhe i propozoi të akuzuarit të parë që të lidhte marrëveshje me të, sqaruan nga Prokuroria.