Nëntë eurodeputetë nga grupi liberal Të ripërtërijmë Evropën (Renew Europe) i dërguan një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, duke kërkuar një ngrirje të përkohshme të negociatave me Serbinë dhe pezullim të ndihmës financiare të BE-së, për aq kohë sa nuk harmoizon me BE-në qëndrimet për Rusinë.
Letra u nënshkrua, ndër të tjera, nga Nikola Behr, nënkryetar i Parlamentit Evropian dhe anëtar i Partisë Demokratike të Lirë të Gjermanisë. Nënshkrues të tjerë janë Klemen Groselj i Sllovenisë, Ilhan Kyuchuk i Bullgarisë, Petras Austevicius nga Lituania, Urmas Paet i Estonisë dhe Bart Grotius i Holandës.
“Ne besojmë fuqishëm se Serbia po tregon një zhvendosje të rrezikshme drejt autoritarizmit, që është në kontrast të fortë me aspiratën e saj paralele për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe kjo paqartësi kulmoi me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit të saj kundër Ukrainës. Prandaj i bëjmë thirrje Komisionit që të ftojë edhe një herë autoritetet serbe që t’i bashkohen qëndrimit të përbashkët të BE-së për Rusinë. Nëse Serbia vendos edhe një herë të injorojë këtë thirrje, ne kërkojmë një ngrirje të përkohshme të negociatave të anëtarësimit në BE me qeverinë serbe dhe mohimin e mbështetjes financiare të BE-së për vendin, derisa ajo të ndërmarrë veprime të besueshme, të prekshme, të cilat janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian”, thuhet në letër.