Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e opozitës për të votuar rezolutën që u zhvillua të enjten për integrimin e Shqipërisë. Ai vlerësoi vendimin dhe tha se shumë shpejt do të kemi lajme të mira për procesin dhe mbylljen e kapitujve.
“Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë.
Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave.
Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur” tha ai.









