Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Prishtina nuk ka frikë nga lufta në Ukrainë, por se po tregohet vigjilente, pasi Serbia ka mbi 40 baza ushtarake afër kufirit. Gjithashtu, ai theksoi se Kosova ka në territorin e saj NATO-n dhe BE-në, të cilat ofrojnë siguri për qytetarët e saj.
“Nuk kemi frikë, por jemi shumë vigjilentë. Serbia ka më shumë se 40 baza ushtarake në kufirin me Kosovën. Por ne kemi NATO-n në vend, edhe nëse nuk jemi anëtarë të saj, dhe kemi BE-në. Me partnerët tanë perëndimorë, ne e shikojmë të ardhmen me shpresë.
Serbia dhe Rusia kanë lidhje shumë të ngushta. Në vitin 2012 u zhvilluan dy aktivitete të përbashkëta ushtarake mes dy vendeve. Vitin e kaluar ishin njëqind. Serbia ende nuk e ka dënuar aneksimin e Krimesë apo pushtimin e Ukrainës.
Kësaj i shtohet edhe fakti që presidenti despotik Putin mund ta çojë luftën në një vend tjetër për të detyruar negociatat me presidentin Biden. Ballkani, edhe më afër Perëndimit, mund të jetë objektivi i tij”, ka deklaruar Kurti.









