Ditën e sotme është mësuar se prokuroria ka nisur një hetim në lidhje me veprimet e policisë gjatë protestave të fundit në Tiranë dhe rrethe, e gjitha pas dhunës së ushtruar ndaj qytetarëve që tubuan kundër rritjes së çmimeve.
Prokuroria u vu në lëvizje pas denoncimit të nën kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili. Në letrën drejtuar kryeprokurorit, Olsian Çela, Vasili shkruante se Policia e Shtetit ka shkelur ligjin dhe ka diskriminuar qytetarët gjatë protestave.
“Siç është bërë publike në median vizive, elektronike, televizion të gjithë jemi bërë dëshmitarë këto ditët e fundit, Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash masive ku qytetarë, bujq, fermerë, student, aktivistë të shoqërisë civile, familjarë, akademikë protestojnë kundër rritjes së çmimeve, keqqeverisjes, shpërdorimit të autoritetit publik (…) Ashtu si media e ka transmetuar të gjithë jemi bërë dëshmitarë se si punonjës të caktuar dhe drejtues të policisë së shtetit, kanë urdhëruar e vepruar me forcë dhe në mënyrë shproporcionale ndaj qytetarëve, grave, fëmijëve duke kryer trajtime fizike publikisht deri në nivelin e torturës apo duke i keqtrajtuar ato gjatë shoqërimit,”– thuhet në letrën e Vasilit drejtuar Prokurorisë.
Ndërkohë që dje ka marrë përgjigjen se hetimi ka nisur, ndërsa shkresa është firmosur nga drejtori i Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, Kostaq Beluri.