Grupi udhëheqës i protestuesve që deri tani kanë zhvilluar disa tubime kundër rritjes së çmimeve, paraditen e sotme i dha ultimatumin e fundit qeverisë që të negociojë për të miratuar një paketë të re anti-krizë ose në të kundërt nesër do të zhvillohet tubimi i radhës dhe nuk do të lëvizin nga Kryeministria.
“Masat nuk janë të mjaftueshme për përballimin e krizës. Shumica nuk ofrojnë garanci që çmimi i naftës do të qëndrojë i ulët, ndihma është shumë minimale. Qeveria refuzon që të ulë taksat, të cilat do të ishin garanci për uljen e çmimeve.
Kërkesat tona janë;
Heqje e taksës së qarkullimit
Pezullimi i TVSH për shportën
Zgjerimi i skemës për fermerët
Paketa reale ndihme për pensionistët dhe të varfrit
Hetim të koncesioneve që ndikojnë të çmimet në treg
Këto masa mbështeten te ulja e barrës fiskale, hetim dhe mbështetje për shtresat në nevojë. Nëse qeveria është kokëfortë dhe nuk pranon të negociojë ditën e shtunë qytetarët do të jenë sërish nesër në protestë. Kjo është protestë e qytetarëve” tha njëra prej protestuesve.
Sot Komisioni Europian i cilësoi legjitime protestat për çmimet duke “rrëzuar” kryeministrin Edi Rama që pak ditë më parë tha se i kishte ardhur një mesazh nga Brukseli dhe e kishin pyetur nëse pas tubimeve ishte “dora” e Rusisë.
“Kjo ishte një përrallë e stisur nga kryeministri për të mos njohur faktin që kjo është një protestë e qytetarëve. KE thjesht e rikonfirmoi edhe njëherë si institucion i disa vendeve që janë demokratike.
Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe do të jetë marshim drejt Kryeministrisë, më pas do të vlerësojmë, bazuar edhe në përgjigjen e qeverisë nëse protesta do të vazhdojë në shesh apo qeveria do të negociojë.
Do të varet nga qeveria. Deri tani qeveria ka reaguar, krahasuar me injorimin në fillim. Njëri nga skenarët është përshkallëzim, do të ulemi dhe nuk do të lëvizim nga Kryeministria. Protesta do të vazhdojë pa ndërprerje” tha qytetarja.