Gra shtatzëna dhe fëmijë ka në mesin e të lënduarve në aksidentin që ndodhi mbrëmë në rrugën Grabanicë të Klinës. Kështu ka bërë të ditur Spitali i Pejës, ku ka treguar se janë paraqitur 18 të plagosur.
Tre nga të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 5 janë shtruar për trajtim të mëtejshëm, ndërsa pacientët e tjerë pas trajtimit janë dëguar në shtëpi.
Nëpërmjet një komunikate për mediat nga spitali kanë bërë të ditur se gjendja e të lënduarve është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Pas një aksidenti, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë kemi pranuar 18 pacientë të lënduar nga ky aksident në mesin e tyre edhe gra shtatzëna dhe fëmijë. Ndonëse është herët për konstatime gjendja e të lënduarve aktualisht është e qëndrueshme dhe besojmë jashtë rrezikut për jetë. Mjekët dhe ekipet po bëjnë të pamundurën që të ofrojnë përkujdesje ndaj secilit të lënduar. Deri më tani 3 pacientë është dërguar në QKUK, 5 pacientë janë shtruar për trajtim të mëtutjeshëm ndërsa pacientët e tjerë pas trajtimit janë dërguar në shtëpi”, thuhet në komunikatën për mediat.