-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Opozita (dhe qeveria) që i duhet Shqipërisë

Kryesoret

Nga Gjergj Erebara

Shqipëria ka nevojë për qytetarë, për media, për prokurorë, gjyqtarë, për botë akademike. Ka nevojë për pronarë që të gëzojnë pronat dhe bizneset e veta, ka nevojë për ndihmë ekonomike që jepet mbi bazat e nevojës shoqërore dhe nuk shpërdorohet si kartëmonedhë për të blerë vota. Shqipëria ka nevojë për shpresë.

Ka nevojë mbi të gjitha për një set vlerash të njohura si “shteti i së drejtës” apo “sundimi i ligjit”. Ka nevojë për të drejta punëtorësh, në mënyrë që një mësues apo një mjek të mos ketë frikë se do të pushohet nga puna nga drejtori politik dhe, duke pasur sigurinë e domosdoshme në punë, është në gjendje të shërbejë jo vetëm si mësues apo si mjek, por edhe si qytetar.

Të gjitha këto nevoja apo domosdoshmëri dëgjohen rrallëherë, ndërsa një nevojë dëgjohet më fort se sa të tjerat: konkretisht, nevoja “për të pasur një opozitë të fortë”.

E dëgjon këtë togfjalësh nga ndërkombëtarë të ndryshëm, e dëgjon madje madje, edhe nga vetë politikanët e maxhorancës, të cilët, jo rrallëherë, ta japin si justifikim për keqqeverisjen.

Qeverisja është keq, sugjeroi vetë Edi Rama pas protestave studentore të vitit 2019, sepse nuk ka “presion pozitiv” nga opozita.

Duke qenë se opozita partiake është vetëm një nga faktorët që e bën një shoqëri demokratike, ky lloj argumenti mund të shtrihet më tutje: qeverisja është keq sepse nuk ka “presion pozitiv” nga prokurorët që duhet të luftojnë korrupsionin; është keq për shkak se nuk ka akademikë me ekspertizë në fushat e veta dhe me kurajë qytetare për të diskutuar publikisht politikat e gabuara apo dritëshkurtra dhe për të propozuar politika alternative, të mira dhe largpamëse; është keq sepse nuk ka qytetarë të lirë, nuk ka punëtorë me siguri të padiskutueshme në punë, sepse në Shqipëri, është fakt që dora e gjatë dhe dhunuese e partisë në pushtet hyn te kompanitë që janë formalisht pronë private për të detyruar punëtorët të votojnë në këtë apo atë mënyrë; është keq për shkak se media në shumicë varet nga pushteti politik për të dhënë paga; është keq se nuk ka mjaftueshëm kurajë politike nga qytetarët, se njerëzit janë të varfër dhe se, në një farë mënyre, demokracia është produkt shoqërues i mirëqenies; është keq për shkak se të dhënat personale të qytetarëve vidhen haptazi dhe përdoren për të dhunuar qytetarët, ndërsa prokurorët duket se janë bashkëpunëtorë në krim; është keq për shkak se korrupsioni nuk luftohet dhe krimi i organizuar nuk luftohet deri në atë pikë sa mundet edhe të kapadaiset në formën e betonit nëpër qendrat e qyteteve shqiptare, shoqëruar këto me mori kamerash private që kanë krijuar një Big Brother, ku ka shumë “vëllezër të mëdhenj”, ca në politikë dhe ca në krim.

Vetëm se të gjitha këto duket se e kanë kapur shkakun dhe pasojën në drejtimin e gabuar. Nuk është faji i qytetarëve për mungesën e të drejtave në punë, as për mungesën e të drejtave të pronësisë. Nuk është faji i qytetarëve për mungesën e prokurorëve të pavarur dhe të aftë. Nuk është faji i opozitës për mungesën e shtetit ligjor. Nuk është faji i të varfërve që shesin votën, për para apo për ndihmë ekonomike apo për licenca transporti apo për një vend pune. Është faji i atyre që e blejnë votën, që shpërdorojnë paratë publike duke kushtëzuar ndihmën ekonomike me votën, ata që bëjnë tenderë korruptivë për kompani biznesi të korruptuara, të cilat, nga ana e tyre, përveç ryshfetit në para, marrin përsipër të paguajnë edhe me votat e punonjësve të vet. Nuk është faji i mësuesit që nuk ka të drejta në punë.

Në këtë kontekst, nuk mund të thuash se problemet e vendit lidhen vetëm me mungesën e një opozite të fortë.

Në fund fare, nuk është faji i viktimës së përdhunimit, është faji i përdhunuesit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit