Për Tritan Shehun, Lulzim Basha e shndërroi selinë e Partisë Demokratike në një bunker si lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un.
Në emisionin Debat, Shehu u shpreh Basha është shkarkuar që më 18 dhjetor, por sipas tij, ai mund të futet në garë si kandidat.
“Kush ka dhënë dorëheqjen? Ai që nga data 18 dhjetor është shkarkuar, dhe rrinte në një zyrë të uzurpuar? Basha është thjesht deputet i PD-së, dhe vetëm kaq. Ai ka të drejt normalisht të futet në një garë, ne kemi rregull në PD që për çdo post duhet të ketë një votim. Por ai e shndërroi selinë në një bunker si Kim Jong Un, dhe në mbledhjen e sotme më vjen mirë që Helidon Bushati ka propozuar që të zhbunkerizohet selia”, thotë ai.
Edhe për mbledhjen e kryesisë, si dhe për postet brenda PD-së, ai ka diçka për të thënë.
“Nuk ka kryesi, është thjesht një grup njerëzish që kanë frikë të hapin bunkerin, një godine që u mor me dhunë por do të çlirohet shumë shpejt nga hekurat dhe do t’ i kthehet Partisë Demokratike. Kjo nuk do të thotë se nuk i njohim si demokratë, ne nuk njohim atë strukturë. Unë nuk them që Alibeaj nuk është demokrat, them se është pjesë e PD por nuk ka të drejtë të kryesojë PD-në, edhe si i komanduar. Në atë post, ai është i paligjshëm, nuk mund të jetë Gaz Bardhi që mund të komandojë kryetarin. Edhe Alibeaj po e uzurpon, me dekretin e Gaz Bardhit, këtë post”, deklaroi Shehu.