Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të veçantë për të shënuar 23-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.
Seanca e veçantë do të mbahet në ora 11:00.
Më 24 mars 1999, rreth orës 19:45, filluan sulmet e NATO-s ndaj objektivave serbe, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton ishte ai që dha urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur edhe u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i Millosheviçit kurse më 11 qershor forcat serbe filluan të ikin nga territori i Kosovës.
Kjo ishte edhe ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila edhe njihet si ndërhyrja historike e kohës.