Partia Demokratike, e udhëhequr nga Gazmend Bardhi ka bërë një kallëzim penal për Agron Zhukrin, gjyqtarin që sot i dha të drejtë Sali Berishës duke regjistruar ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit.
Sipas dokumentit që mban emrin e Bardhit, gjyqtari Agron Zhukri ka shkelur vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore.
Njoftimi i plote
Gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore. “Më 23 Mars, ai caktoi seancën në mënyrë të pashpjegueshme, megjithëse vendimi i gjyqtares tjetër për rregjistrimin e ndryshimeve statutore nuk është zbardhur dhe nuk na është komunikuar”- thuhet në kallëzimin e PD.
PD vë në dijeni SPAK se e ka ankimuar vendimin, duke qenë se gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e saj. Për shkak të ankimimit, në Rregjistrin e Partive Politike nuk janë pasqyruar ndryshimet statutore të 17 korrikut.
PD i kërkon SPAK-it të administrojë kamerat e gjykatës, ku shohet qartë takimi I gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e atij që njihet si Komisioni i Rithemelimit. PD sqaron se gjyqtari Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi.
Në kallëzimin penal, PD sqaron se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse gjykata ka administruar kërkesat e PD përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike. “Mosthirrja e PD si palë e trete, me interesa të ligjshme në proces, cënon rëndë detyrimet ligjore dhe është bërë me qëllimin për të marrë një vendim në fshehtësi dhe për të favorizuar një palë, që ai vetë ka pranuar se ka lidhje”- thuhet në kallëzimin e PD.
Më kallëzim thelsohet se gjyqtari Agron Zhukri ka shkelur rëndë ligjin duke marrë një vendim pa patur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 Korrikut.
Pa patur vendimin e zbardhur për këto ndryshime, gjyqtari Zhukri e ka patur të pamundur të shohë përputhshmërinë e akteve të 11 dhjetorit me statutin e 17 Korrikut, ku bazohet edhe kërkesa e palës tjetër për 11 dhjetorin.
PD sqaron me detaje SPAK-un për paligjshmërine e mbledhjes së 11 dhjetorit, duke shpjeguar detyrimet statutore që duhet të ndiqeshin. PD i kërkon SPAK të bëjë veprime të shpejta hetimore, duke administruar kamerat, duke sekuestruar dosjen gjyqësore, në mënyrë që gjyqtari të mos ketë kundësi të manipulojë provat.