Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mori miratimin nga gjykata për arrestimin e anëtarëve të komisionit të koncesionit të inceneratorit të Fierit për “abuzim me detyrën” ndërsa arrestoi administratorin Arenc Myrtezani për korrupsion aktiv dhe shtoi akuza për ish-ministrin Lefter Koka dhe pronarin e incineratorëve Klodian Zoto, i cili është në arrati.
SPAK bëri të ditur se deputeti Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 15 milionë lekë. Mbi Bllakon nuk ka masë sigurie pasi ai gëzon imunitet parlamentar dhe para arrestimit, prokurorisë do t’i duhet të marrë miratimin e parlamentit. Kërkesa u çua në parlament, tashmë do të kalojë te Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit për të dëgjuar palët dhe më pas vendos parlamenti.
“…nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë,” bëri të ditur prokuroria.
“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”, vijon më tej njoftimi.
Por si realizohet procedura për miratimin ose jo në lidhje me arrestimin e një deputeti në Kuvend?
Sipas nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, pasi kërkesa i paraqitet Kuvendit, kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
Ky i fundit ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
Pas përfundimit të shqyrtimit, brenda 2 javëve, Këshilli harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi.
Pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Kuvendi ka në dorë të vendosë me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
Por çfarë ndodh në rastet kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme?
Nëse brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse nuk merret vendimi, konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
Nga ana tjetër, përcaktimet e bëra në nenin 118 të rregullores së Kuvendit zbatohen në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.