Mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit që ishte parashikuar për sonte në orën 18:00 është anuluar pas letrës së dorëheqjes që u paraqit nga deputeti socialist Alqi Bllako. Pak minuta para orës 16:00 deputeti socialist depozitoi në Kuvend letrën zyrtare ku njoftonte lënien e mandatit. Kuvendi ia ka nisur letrën Prokurorisë së Posaçme duke e vendosur në dijeni për anulimin e mbledhjes së këshillit dhe dorëheqjen e deputetit. Tashmë pritet që SPAK t’i çojë urdhrin policisë që të ekzekutojë vendimin e gjykatës për arrestimin e Bllakos.
Njoftimi i Kuvendit
Në mbështetje të Urdhërit nr. 24, datë 30.03.2022, të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla “Për anullimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.
Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga manadti i deputetit me vullnet të dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako.
Letra e dorëheqjes
Te nderuar Kolegë,
Unë i nënshkruan Algi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhërit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00.
Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë.
Njoftimi dje në Facebook i dorëheqjes
Të nderuar miq!
Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.
Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj.
Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!
Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen! Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!