Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërhyri edhe përfaqësuesi shqiptar, ambasadori Ferit Hoxha.
Mbledhja ishte detyrimisht e fokusuar mbi agresionin rus në Ukrainë, që po zbulon dita-ditës episode gjithmonë e më brutale ndaj civilëve nga ana e ushtrisë ruse.
Ambasadori Hoxha ndërhyri pas fjalimit të mbajtur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që përshkroi dhunën e ushtruar ndaj vendit të tij.
“Ne qëndrojmë pranë jush, zoti President, pranë bashkatdhetarëve tuaj, të gjithë ukrainasve për rezistencën heroike, për qëndrueshmërinë e tyre që e admiron e gjithë bota. Ju nuk jeni vetëm, ju keni botën në anën tuaj, sepse ajo është ana e të drejtëve, e të drejtëve dhe shpresojmë, e fitores”, deklaroi ambasadori Hoxha.
Përfaqësuesi shqiptar në Këshillin e Sigurimit nënvizoi se “Rusia ka ngecur dhe ëndrrat e saj perandorake nuk janë askund; marrja e Ukrainës doli më në fund e pamundur; Kievi ishte shumë i vështirë për t’u gëlltitur. Ushtria ruse është në rrëmujë, por nuk i ka ndalur goditjet dhe bombardimet. Lajmi i vërtetë që ka tmerruar botën është se çfarë Rusia po lë pas, tmerret e patregueshme, ato imazhe tronditëse në zonat nga të cilat Rusia po tërhiqet. Imazhet e civilëve të ekzekutuar me një plumb pas koke, ndonjëherë me duar të lidhura pas shpine ose të vrarë mbi biçikletë; imazhet e varrezave masive të tejmbushura me kufoma. Bucha është një varrezë në qiell të hapur, fytyra famëkeqe e agresionit rus”.
Hoxha sulmoi propagandën e Kremlinit, që nuk merr përgjegjësi as për masakra të dukshme si ajo në Bucha. “Të presësh që Rusia të pranojë dhe të thotë të vërtetën, është sikur të presësh që të vijë Godot. Ai nuk vjen asnjëherë!” tha ai, duke shtuar se “rrallë herë rezultati i një lufte ka qenë kaq katastrofik në kundërshtim të plotë të asaj që donte të arrinte. Ushtria ruse është mposhtur nga rezistenca ukrainase e nën-pajisur në armë dhe njerëz; Rusia është e izoluar si kurrë në historinë e saj; është bërë vendi më i sanksionuar në botë ndonjëherë në histori”.
Hoxha nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për të pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë në HRC, Këshillin e të Drejtave të Njeriut.
“Ky agresion dhe disfata e tij befasuese kanë ndarë një herë e përgjithmonë fatet e ukrainasve dhe rusëve. Sepse rasti i Ukrainës është gjithashtu kauza e demokracisë kundër tiranisë dhe kleptokracisë”, shtoi Hoxha duke sulmuar drejtpërdrejtë edhe presidentin rus Vladimir Putin.
“Është një luftë midis vullnetit të njerëzve kundër vullnetit vicioz të një personi, veprimet e pamatura të të cilit kanë sfiduar gjithçka që ne mbështesim dhe që është drejtpërdrejt përgjegjës për çrregullimin ekonomik dhe pasigurinë ushqimore që po prek të gjithë botën”, deklaroi ambasadori në Këshillin e Sigurimit.