Hetimin të cilin e ka filluar Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër një funksionari të lartë, është kundër sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zeqiri.
Ai është i dyshuari i parë në rastin e hapur kurse dy të tjerë janë shtetas kroatë.
Dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autorizimit që parashikohet në Kodin Penal duke ndihmuar dy të dyshuarve të tjerë – shtetas kroatë.
Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPTH NKO) ka nisur hetim kundër një funksionari shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetasve të Kroacisë, njoftojnë nga Prokuroria Publike Themelore.
“Gjatë periudhës prej muajit prill 2021 deri në muajin janar 2022, duke shfrytëzuar pozitën e tij, i dyshuari i parë pa realizuar procedurë përkatëse për prokurim publik, ka arritur marrëveshje me shërbime konsulente me kompani ku qëllimshëm iu ka ndihmuar shtetasve kroatë. Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit për kompaninë kanë siguruar pasuri pronësore të kundërligjshme në vlerë prej 57.932.100,00 denarë (rreth 950 mijë euro), në dëm të Buxhetit të RMV-së. Vlerë që ishte më e madhe se 795.000 euro nga vlera e dakorduar për kryerjen e shërbimeve konsulente”, njoftojnë më tej nga PPTh-ja.
Për të dyshuarit kërkohet dhënia e masës së paraburgimit, pasi siç njoftojnë “vlerësojnë se ka rrezik real që të dyshuarit të arratisen, aq më tepër që dy të dyshuarit të tjerë janë shtetas të huaj”.