Kryeministri Edi Rama tha se drejtësia e re po vonon për të vepruar për ish-kryeministrin Sali Berisha për Piramidat, Gërdecin dhe 21 Janarin. Ai tha se ish-zv/ministrja e tij u dënua për një arkë peshk, ndërsa për krimet që përmendi më lart nuk ka asnjë reagim nga SPAK.
“Për të bërë detyrën ishte zgjedhur edhe kush e dogji Shqipërinë në zjarrin e Piramidave, edhe kush i hodhi në erë njerëzit pak kilometra nga Tirana, kush i vrau protestuesit e pafajshëm në bulevard.
Drejtësia e re ende po vonon, apo po ngurron, nuk e di akoma këtë, që të hyjë në kraterin e vullkanit të padrejtësive 30 vjeçare.
Ndërkohë që dënon një zyrtare të lartë për një arkë peshk, për punësim të pakryer. Ndërsa dallimin mes qeverive e bëjnë vendimet që marrin dhe punët që bëjnë” tha Rama.