Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjithashtu këtë të shtunë se gjykatësit dhe prokurorët që nuk justifikojnë pasurinë në SPAK duhet të shkojnë në burg.
“Duhet të shkojnë në burg gjykatësit dhe prokurorët që nuk justifikojnë pasurinë. Është shumë e thjeshtë, SPAK-u duhet t’u japë një mundësi, atë që nuk e justifikuan dot te Vettingu të shkojnë ta justifikojnë te SPAK-u. Nëse nuk e justifikojnë pasurinë duhet të shkojnë në burg.
Ata që i kanë bërë nënën drejtësisë në Shqipëri për dekada të tëra dhe që kanë këputur në kryq shqiptarët e zakonshëm me atë çekiçin e tyre dhe që kanë qenë në një marrëdhënie mëkati permanent, qoftë me këtë që është përballë këtu, qoftë me qoftë me atë tjetrin që vjen vërdallë andej, qoftë me atë tjetrin që nuk e di ku ka humbuar, por nuk jam i shqetësuar më sepse mori atë që meritonte edhe ai, kështu që të flejë gjumë rehat tani”, u shpreh Rama.