-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Vuçiç e cilëson “të ligjshme” blerjen e armëve nga Kina

Kryesoret

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi të mërkurën se Serbia ka blerë sisteme kineze të mbrojtjes ajrore, FK3 dhe vlerësoi se blerja ishte “e ligjshme, e rregullt dhe transparente”.

Më herët gjatë javës mediat raportuan se avionët ushtarak kinez transportuan në fundjavën e kaluar në Beograd sistemin e mbrojtjes raketore tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin S-300 të Rusisë ose Patriot të Shteteve të Bashkuara.

Kina konfirmoi se bëhet fjalë për një “dorëzim të rregullt të pajisjeve ushtarake” që ishte planifikuar kohë më parë dhe nuk ka asnjë lidhje me situatën aktuale në botë. Sistemet kineze të mbrojtjes ajrore janë blerë në vitin 2019.

Pranimi i armëve kineze nxiti reagime mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Në një video-mesazh të publikuar të mekurën, presidenti serb zgjodhi t’u përgjigjet kritikave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Presidenti malazez, tha se është i shqetësuar me tendencën “për të armatosur Serbinë me armë nga vendet që tani po dalin jo vetëm si konkurrentë, por edhe si armiq të Evropës dhe NATO-s”.

Kryeministri i Kosovës, tha një ditë më parë se “Serbia më duket se ndodhet në një lloj paniku kur po e vëren që nuk mund të qëndrojë në tri-katër ulëse njëkohësisht. Ajo po përpiqet që të forcohet për vete, sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe për Republikën e Kosovës, mirëpo në anën tjetër, është shprehje e frikës së tyre se mund të ngelen të vetmuar”.

Presidenti serb tha të mërkurën se të dy udhëheqësit përdorën blerjen e armëve për t’i thënë botës se “Serbia është mike e Kinës dhe Rusisë dhe se kërcënon dikë, ndonëse është e rrethuar me territore të NATO-s”.

Ai theksoi se Serbia nuk kërcënon askënd me “armë mbrojtëse që shërbejnë për të shkatërruar raketat dhe avionët e armiqve që mund të shkelin hapësirën ajrore të Serbisë. Si po e rrezikojmë Prishtinën dhe Podgoricën? Çfarë forcash ajrore kanë ata? Më mirë po të kishim blerë sprej autan (kundër insekteve)”, tha presidenti serb.

Por, ai nuk foli për qëndrimet e perëndimit rreth armatimeve kineze.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve kundërajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilëve njihet si FK-3. Ata thanë se nëse Serbia me të vërtetë dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe aleancat tjera perëndimore, duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.

Gjermania tha të martën se ka parë njoftimet se Serbia mori raketa kineze tokë-ajër, duke paralajmëruar se pret që vendi ballkanik të përafrojë politikën e tij të jashtme me Bashkimin Evropian, nëse dëshiron të bëhet pjesë e këtij blloku.

Serbia po balancon aspiratat e saj evropiane dhe partneritetin me NATO-n, me aleancën e saj shekullore fetare, etnike dhe politike me Rusinë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të hënën përsëriti thirrjet që Serbia t’u bashkohet BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Beogradi ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara, por nuk ka vendosur sanksione kundër saj.

Ushtria e Serbisë mbështetet në teknologjinë ish-sovjetike dhe Rusia është një nga furnizuesit kryesorë të saj. Beogradi është gjithashtu i varur nga furnizimet me gaz dhe naftë nga Rusia.

Perëndimi është i shqetësuar se blerjet e armëve nga Kina dhe Rusia mund të kontribuojnë në ndikimin e tyre në rajonin e tensionuar të Ballkanit, i cili ende po rimëkëmbet nga luftërat shkatërruese të viteve të 90-ta. /VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit