Kryeministri Edi Rama u shpreh ditën e shtunë gjatë Kongresit të PD-së se opozita aktuale as që i duhet Shqipërisë dhe se ai ka qenë i bindur prej kohësh që Partia Demokratike do të përfundonte në këtë gjendje. Ai zbuloi për herë të parë, se këtë gjë ia ka dërguar me mesazh edhe Lulzim Bashës, ish-kreut të Partisë Demokratike.
Por Lulzim Basha e hodhi poshtë duke thënë sot se ka shkëmbyer vetëm dy SMS me Edi Ramën, kur kryeministri humbi nënën në 2020-tën dhe kur ish-kryetari i PD-së humbi të atin vitin e kaluar.
“Këto janë gënjeshtra tipike të njerëzve që duan të heqin vëmendjen nga thelbi. Ka pasur komunikim në ngushëllime për dy humbje respektive në familje. Këto janë gënjeshtra. Treshja e tranzicionit hedh gënjeshtra. Kësaj i japim fund me dy rrugë, njërën e ka në dorë drejtësia dhe njërën politika” tha ai.
Më pas Basha foli për një platformë moderne. “Unë nuk jam këtu për fatin tim personal, por besoj dhe shpresoj kemi një detyrim për t’u shërbyer njerëzve. Drejtësia ta lexojë mirë raportin e DASH-it dhe të ecë në rrugën e ligjit duke refuzuar cdo presion politik. Në këto momente kritike për qytetarët dhe vendin është detyra e tyre që t’i japin fund kulturës së pandëshkueshmërisë” tha ai.