Drejtoria e Burgjeve ka zhvendosur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka nga paraburgimi “313”-të në Tiranë për në paraburgimin e Durrësit. Ende nuk dihet, por duket se kërkesa për t’u zhvendosur në paraburgimin e qytetit ku jeton ka qenë e vetë Kokës.
Ish-deputeti socialist nesër do të merret në pyetje për herë të parë nga SPAK lidhur ma aferën e inceneratorëve, ku akuzohet për dy impiantet, të Elbasanit dhe Fierit.
Lefter Koka u prangos më 14 dhjetor 2021 në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit. Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja që janë në kërkim akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.
Gjithashtu, SPAK konkludoi se Koka në cilësinë e ish-Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare të sipërcituara përfitime të parregullta monetare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara prej tij apo familjarëve.