Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Serbia dhe Rusia po tentojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për Televizionin Publik të Portugalisë, RTP, ai thotë se Serbia po armatoset nga Rusia për luftëra.
Kurti vlerëson se vendet e BE-së për një kohë të gjatë e kanë neglizhuar këtë bashkëpunim ushtarak mes Serbisë dhe Rusisë.
“Kremlini po përpiqet të përdorë Serbinë si mjet për destabilizimin e Ballkanit. Ajo po blen pajisje ushtarake nga Rusia. Nga 14 avionë MIG-29 që kanë, 8 janë donacion nga Bjellorusia dhe gjashtë nga Federata Ruse. Ekziston një ndërtim i bashkëpunimit ushtarak midis Beogradit dhe Moskës dhe, siç e shihni në Ukrainë, i gjithë armatimi që është blerë nuk është vetëm për trajnim, por edhe për luftëra. Pra, pajisjet ushtarake janë fazë përgatitore për makineritë e luftës. Shumë vende në BE e kanë lënë pas dore këtë ngritje ushtarake të Federatës Ruse dhe Serbisë”, tha Kurti.









