Mediat italiane kanë bërë publike emrin e shqiptarit 39-vjeçar, i cili ndërroi jetën ditën e premte si pasojë e një aksidenti në punë në Trento.
Aksidenti tragjik që i mori jetën Sandër Cerrit ndodhi para shkollave Manzoni ku kishin nisur rinovimet nga një kompani ndërtimi në Mezzolombardo. Sipas hetimeve paraprake mendohet se një pjesë muri ka rënë mbi punëtorin shqiptar.
Ai u dërgua menjëherë në spital, por kishte marrë dëmtime shumë të rënda në kokë dhe ndërroi jetë brenda disa orësh. Sipas mediave italiane, Cerri ishte me origjinë nga Durrësi dhe ishte martuar prej 13 vitesh.
Së bashku me familjen jetonte në Mezzolombardo. Fillimisht shqiptari kishte jetuar në fshat dhe kishte punuar në bizneset e vogla agroushqimore.
“I palodhur”, kanë shkruar të njohurit e tij në rrjetet sociale. Më vonë, si pasojë edhe e mundësive më të mira ekonomike, ai kishte gjetur punë në ndërtim./ Klan