Deputeti Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit të Rithemelimit ka folur sot nga Elbasani për procesin e bashkimit të Partisë Demokratike dhe zgjedhjen e presidentit.
Ai theksoi se opozita nuk ka ndonjë interes të madh për këtë çështje, për sa kohë, sipas tij ai është një pozicion që caktohet nga kryeministri Edi Rama.
“I qëndroj mendimit të dhënë më parë, vetë opozita nuk ka ndonjë interes të madh për çështjen e Presidentit. Rama ka kapur të gjitha pushtetet, nga minimalet deri te maksimalet, edhe ato kushtetueset të pavarura dhe i kishte ngelur vetëm presidenti.
Personalisht, nuk kam asnjë dyshim që zgjedhje nuk ka, do emërohet një person që do ti bindet atij dhe kjo do të thotë shumë. Bie dhe kështjella e fundit e pushtetit të pavarur në Shqipëri, por nuk ndryshon asgjë, vendi ynë është një regjim, drejtohet nga një bandë e organizuar. Çdo gjë të kapë ai, prapë një ditë ai dhe banda e tij të japin llogari”, u shpreh Boçi.
Deputeti Boçi komentoi edhe platformën e propozuar nga Alibeaj për bashkimin e Partisë Demokratike.
Ai u shpreh se bashkimi nuk arrihet me thirrje dhe shpikje platformash, por vetëm me proces zgjedhor.
“Do të kemi një qëndrim të përbashkët për grupin parlamentar, nuk arrihet bashkimi as me thirrje as me shpikje platformash të veçanta, realizohet vetëm me shprehje të vullnetit të anëtarësisë dhe procesit zgjedhor, këto na çojnë drejt një bashkimi real dhe konkret”-shtoi ai.