Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka ironizuar procedurën që ka nisur Partia Socialiste brenda radhëve të saj për zgjedhjen e Presidentit të ri, ku përmes një zarfi nga cdo deputet u kërkuan tre emra. Deputeti demokrat kërkoi transparencë dhe jo sjellje, sikur i cilësoi ai groteske.
“Presidenti është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit dhe nga ky frymëzim duhet të nisë procesi, që duhet të jetë transparent dhe jo i mbyllur në zarf.
Për këtë arsye duhet të niset me këmbën e mbarë duke respektuar Kushtetutën dhe atë që ka qenë tradita deri tani, që nuk ka qenë gjithmonë e lavdishme” tha ai.
I pyetur nëse do të shkojë nesër në mbledhjen që e ka ftuar kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe se cfarë mendon për propozimin e Fatmir Mediut, që opozita duhet të negociojë si një trup i vetëm, Alibeaj tha se për këtë do të vendosë grupi.
“Do të jetë grupi që do të mbajë qëndrimin e vet. Do të jetë grupi që do të vendosë e para mbi qëndrimin dhe e dyta mbi procedurat” deklaroi ai.