Dy deputete të PD, Sorina Koti dhe Emilja Koliqi i janë drejtuar Kuvendit me një letër për ngritjen e Komisionit të Energjisë dhe Aksionit për Klimën referuar krizës energjetike. Sipas tyre, Shqipëria ndodhet në prag të një krize të rëndë energjetike për një sërë arsyesh.
“Çmimet e energjisë elektrike dhe të karburanteve po kërcënojnë gjithnjë e më shumë jetesën dhe mirëqenien. Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se aktualisht, parlamentet dhe qeveritë në mbarë botën, e veçanërisht në Evropë po intensifikojnë përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit dhe ndërmarrjen e politikave që nxirin transformimin nga energjitë e lëndëve fosile drejt energjive të pastra për t’u përballur me sfidat kombëtare të sigurisë energjetike dhe ato globale të ndryshimit të klimës” thuhet ndër të tjera në letrën që ka siguruar “5pyetjet.al”.